Sistemi financiar shqiptar përballoi me sukses goditjen e fortë negative të pandemisë.
Në ndryshim nga episodet e mëparshme të goditjeve, kur sistemi financiar shpesh shndërrohej në përforcues të tyre, tregu financiar u shfaq i qetë gjatë pandemisë, duke mundësuar reagimin në kohë dhe me intensitetin e duhur të politikave monetare e fiskale, sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020.
Po ashtu, sektori bankar amortizoi një pjesë të kostos financiare të krizës, si dhe siguroi likuiditetin e nevojshëm për bizneset dhe familjet shqiptare. Kjo sjellje e sistemit financiar ishte një faktor esencial në zbutjen e pasojave makro dhe mikroekonomike të pandemisë.
Aftësia e sistemit financiar për të përballuar me sukses këtë goditje dhe për të përmbushur rolin e tij ndërmjetësues është rezultat i punës së bërë ndër vite për rritjen e qëndrueshmërisë së tij. investimi i vazhdueshëm institucional për reformimin e sistemit financiar, ambienti i qëndrueshëm monetare, si dhe mbikëqyrja e rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar, kanë kontribuuar në rritjen e qëndrueshmërisë së bilanceve të ndërmjetësve financiarë dhe në rritjen e besimit të publikut në sektorin bankar.
Për rrjedhojë: (i) tregu valutor u shfaq i qëndrueshëm; (ii) primet e rrezikut ishin të përmbajtura; (iii) sistemi financiar gëzoi likuiditet të bollshëm dhe nuk pati në asnjë çast rrjedhje depozitash; dhe (iv) ofroi financimin e nevojshëm për sektorin privat. në vijim trajtohet shkurtimisht secili prej këtyre dimensioneve, thotë Banka.
Tregu valutor u shfaq i qëndrueshëm
Vendosja e masave shtrënguese në muajin mars u manifestua në mënyrë të menjëhershme në tregun valutor. në një kohë të shkurtër, leku u nënçmua ndjeshëm dhe luhatshmëria e kursit u rrit. Ndërhyrja efektive dhe në kohë e BSH-së rezultoi e suksesshme në shuarjen e pasigurive. në këtë drejtim ndikoi edhe reagimi i përmbajtur psikologjik i agjentëve të tregut dhe i publikut të gjerë, çka reflektoi rritje të besimit të tyre në monedhën vendase. Kursi eur/lek u stabilizua si pasojë e forcave të tregut brenda muajit pasues, në linjë me tablonë e re makroekonomike. qëndrueshmëria e tregut valutor përballë kësaj goditjeje spikat përkundrejt reagimeve në episode të mëparshme krizash. për shembull, kriza e vitit 2008-2009, krahas nënçmimit të ndjeshëm të lekut si rrjedhojë e përkeqësimit të pozicionit të jashtëm të ekonomisë, u shoqërua me luhatje të shtuara të kursit të këmbimit për një periudhë gati dyvjeçare.
Primet e rrezikut ishin të përmbajtura
Primet e rrezikut në sistemin bankar rezultuan të përmbajtura, ndonëse pasiguritë u shtuan. Ofrimi i likuiditetit të pakufizuar nëpërmjet repove njëjavore evitoi një rritje të mundshme në rrezikun e likuiditetit. ndërkohë, presionet e rritura mbi primet e rrezikut të kredisë u zbutën nëpërmjet masave makroprudenciale, mbikëqyrëse dhe fiskale. Komunikimi i qartë dhe i vazhdueshëm me tregun mbi politikën monetare në të ardhmen ndihmoi në sheshimin e pasigurive për ecurinë e normave. të gjithë këta faktorë, krahas uljes së normës bazë, kontribuuan në rënien e normave të interesit për kreditë e sektorit privat. Falë likuiditetit të bollshëm të injektuar, si dhe sjelljes më të matur të bankave, rritja e borxhit të brendshëm të qeverisë u përthith nga tregu pa rritje të ndjeshme kostoje dhe pa ndikuar në koston e apo vëllimin e financimit të sektorit privat.
Sistemi financiar ishte likuid
Eksperiencat e mëparshme kanë treguar se goditjet në sektorin financiar mund të shoqërohen me tërheqje masive të depozitave dhe probleme likuiditeti për bankat. me ngjarje të tilla, sektori jonë bankar është përballur në fillimet e krijimit të tij dhe gjatë krizës financiare globale. gjatë viteve 2008-2009, brenda një periudhë 6-mujore, u tërhoqën rreth 10% e depozitave totale, si pasojë e perceptimit në publik për rrezik të shtuar nga kriza financiare globale.
Ndërkohë gjatë vitit 2020, për asnjë moment nuk u vu re tërheqje depozitash dhe probleme me likuiditetin e bankave. përkundrazi, depozitat kanë vijuar të rriten, duke reflektuar si orientimin e sjelljes së individëve drejt kursimit ashtu edhe forcimin e besimit në banka.
Kredia për sektorin privat u rrit
Goditjet në sektorin financiar shpesh herë janë reflektuar edhe në stepjen e bankave për të financuar ekonominë. i tillë ishte reagimi i bankave ndaj krizës së borxhit sovran në eurozonë gjatë viteve 2011-2012, e cila diktoi fillimisht tkurrjen me 5% të portofolit të kredisë, dhe më pas në një ecuri të dobët të saj për disa vite. zhvillimet e vitit 2020 tregojnë një panoramë të ndryshme të aktivitetit kreditues. masat e marra nga BSH-ja dhe nga autoriteti fiskal ndihmuan në funksionimin normal të kanalit të kreditimit. Kredia për sektorin privat u rrit pavarësisht rritjes së pasigurisë dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.
Banka e Shqipërisë konkludon se sistemi financiar tregoi aftësi për të përballuar goditjen negative të vitit 2020 dhe dëshmoi për elasticitet të mjaftueshëm për të mbështetur ekonominë me financim, duke dalluar nga episodet e mëparshme të goditjeve të mëdha negative. gjithashtu, politikat e bashkërenduara dhe të ndërmarra në kohë ndihmuan t’u paraprijnë rreziqeve potenciale që mund të rëndonin mbi sistemin financiar. BSH-ja thekson se do vijojë ta mbajë në monitorim të vazhdueshëm veprimtarinë dhe treguesit e tij, me qëllim adresimin në kohë të çdo problematike potenciale./Monitor