Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit, miratoi disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin, ushtrimin e veprimtarisë, revokimin e licencës dhe likuidimin e portofolit të kredive të krijuara nga ushtrimi i veprimtarisë financiare nga subjektet financiare jobanka”.
Këto ndryshime synojnë forcimin e masave për licencimin e institucioneve jobanka. Konkretisht parashikohet ndryshimi i formës ligjore të subjekteve financiare jobanka, nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, në shoqëri aksionere, si për subjektet që do të licencohen pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, ashtu edhe për subjektet që operojnë aktualisht në treg, duke iu lënë këtyre të fundit një kohë të mjaftueshme në dispozicion për ndryshimin e formës ligjore dhe krijimin e organeve drejtuese përkatëse.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet përmirësimi i performancës dhe kuadrit të qeverisjes dhe administrimit të institucioneve financiare jobanka në vend, bazuar në praktikat më të mira të fushës.
Ndryshimet përfshijnë edhe disa kërkesa rregullative të shtuara/përmirësuara lidhur me aspektet e zmadhimit të kapitalit dhe ndryshimet në strukturën e kapitalit të subjekteve financiare jobanka, si dhe për dokumentacionin për miratimin e kryetarit të këshillit të administrimit/mbikëqyrës, administratorit dhe kryetarit të komitetit të kontrollit.