Gjatë intervistës së tij për Syri.net, ish presidenti i Republikës Bujar Nishani komentoi edhe situatën e fundit lidhur me një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ideja e shkëmbimit të territoreve e kthen Ballkanin 100 vite prapa.
“Shkëmbimi i territoreve e kthen Kosovën 11 vite pas, para shpalljes së Pavarësisë. Serbia do të njohë Kosovën pas kësaj, është përrallë. Shkëmbimi i territoreve mbi baza etnike është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën dhe rajonin.
Flitet për Mitrovicën e Veriut që në disa pjesë të saj ka shumicë serbe, me Luginën e Preshevës, ku Medvegja dhe Bujanoci nuk janë më shumicë shqiptare.
Kjo e kthen rajonin në vitin 1914, E rikthen Ballkanin gati 100 pas. Zhbëhet i gjithë procesi që ka mbajtur në ekulibër rajonin,ai i integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor.
Kolonat e BE-së janë te bashkëjetesa, pranimi i tjetrit, pranimi i kulturës së tjetrit dhe jo te spastrimi. Zërat në BE që kanë ideuar këtë gjë janë asgjësuesit e frymës së integrimit të Ballkanit Perëndimor. Nacionalizmi i sëmurë duhet të izolohet dhe jo të reklamohet”, u shpreh Nishani.