Kandidati për president nga Fronti Evropian, Bujar Osmani ka shpallur fitoren e këtij kampi politik. Ai thotë se ka marrë rreth 40 mijë vota më shumë se koalicioni VLEN.
Në një konferëncë për media ai tha se kanë shënuar fitore në pothuajse çdo komunë.
“Fitore në Jegonovc, në Haraçinë, në Vrapçishtë, në Studeniçan,në Lukovë, në Bogovinë, në Zhelinë, Gazibabë, Zhelinë, në Pllasnicë, në Resnje, në Çashkë, fitore të jashtëzakonshme në Strugë, në Zelenikovë, në Ohër, në Tetovë, Manastir, Kërçovë,fitore në Saraj, në Kërçovë, në Karposh, fitore në Gostivar, në Kumanovë, në Çair, në Dibër, gjithandej në Republikë” tha mes tjerash Osmani.
Ai tha se kjo fitore tregon se Fronti Evropian po ngritet në një lokomotivë për të ardhmën evropian të vendit.
“Në emër të frontit dua tu jap fjalën se vota juaj është detyrimi im. Dëshiroj t’i them dicka kundërshtarit tim. Arben pavarësisht goditjeve të ulëta patëm një fushatë me respekt, duhet të pranojmë vullnetin e popullit”, tha Osmani.
Kasami: Ne jemi fitues të votës shqiptare, BDI e humbi legjitimitetin të flas në emër të shqiptarëve
Bilall Kasami nga VLEN theksoi se ato janë fitues të votës shqiptare dhe se BDI tani më ka humbur legjitimitetin të flas në emër të shqiptarëve.
“Ne jemi fitues të votës shqiptare, BDI ka fituar vota të komuniteteve dhe shtresave të rrezikuara shoqërore. VLEN është i vetmi përfaqësues i vetëm legjitim i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në Qeverinë e ardhshme. BDI edhe me këto rezultate nuk zgjedh deputet shqiptar. BDI me këto zgjedhje humbi legjitimitetin politik që të flas në emër të shqiptarëve”, tha Kasami.
Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Silanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.
Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.
Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garoi me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Sipas rezultateve të para, ai është i treti me 81.748 vota apo 15.63 % të votave të fituara.
Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit. Ai ka siguruar 59.591 apo 11.39 % të votave.
Pjesë e garës zgjedhore ishin edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”. Nga këta kandidatë, më së shumti vota ka marrë Dimitrievski, përkatësisht 42.296 vota apo 8.09 %.