Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani i bëri thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë të formojnë urgjentisht komunikim të drejtpërdrejtë.
Osmani i cili ndodhet për vizitë në Azerbajxhan zhvilloi takim me ministrin e Jashtëm, Jeyhun Bayramov. Pas takimeve dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve Osmani dhe Bayramov mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Osmani vuri në dukje problemin e minave në rajonin që Azerbajxhani çliroi nga pushtimi i Armenisë dhe tha se OSBE-ja ka përvojë të madhe në çështjen e pastrimit të minave dhe se do të bëjnë më të mundurën për të dhënë mbështetje për Azerbajxhanin në këtë çështje.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për ushtarët që humbën jetën në konfliktin e përjetuar dje në kufirin e Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Ne u bëjmë thirrje palëve të formojnë urgjentisht komunikim të drejtpërdrejtë. Kam ardhur në rajon për të inkurajuar paqen dhe bashkëpunimin me bazë paqen. OSBE mund të sigurojë përvojën dhe burimet e saj për sigurimin e këtij komunikimi. Përpjekjet tona duhet t’i fokusojmë në paqe. Sigurimi i paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë është i rëndësishëm. Në rajon duhet të vijë paqja. Edhe azerbajxhanasit edhe armenët e meritojnë paqen”, tha Osmani.
“Armenia duhet të distancohet nga hapa të tillë të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm”
Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov tha se Armenia ka bërë provokime politike dhe ushtarake edhe kur nga ndërmjetësit janë ndërmarrë hapa për normalizimin e marrëdhënieve, ku edhe konfliktet e shënuara dje në kufi janë provokim i planifikuar.
Ai tha se komandanti dhe zv/komandanti i njësisë së forcave speciale të Armenisë kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes në konfliktin e djeshëm dhe se provokimi ka filluar me urdhrin e tyre. “Armenia duhet të distancohet nga hapa të tillë të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm sepse përgjigjja dhe pasojat e kësaj mund të jenë shumë të rënda për Armeninë. Duam që partnerët tanë ndërkombëtarë t’ia përcjellin hapur Armenisë mesazhin tonë”, tha Bayramov.