Parlamenti i Bullgarisë votoi sot me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenime, për të miratuar një projektrezolutë, të propozuar nga Hristo Ivanov deputeti i Bullgarisë Demokratike, që mandaton kabinetin në largim për të miratuar Kornizën Negociuese dhe Konkluzionet e Këshillit të propozuar nga presidenca franceze e Këshillit të BE-së.
Votimi u krye pas një debati pesëorësh mbi rezolutën sipas së cilës Bullgaria pranon të heqë veton e saj mbi fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Shkupin, bazuar në një propozim të presidencës franceze të Këshillit të BE.Kjo praktikisht mund të zhbllokojë procesin e integrimit në BE për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Rezultati përfundimtar, megjithatë, mbetet i paqartë, pasi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski tha të enjten se propozimi francez është i papranueshëm për vendin e tij në formën e tij aktuale.
Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski deklaroi se propozimi francez në formën siç është tani, është i papranueshëm për te si kryeministër, për presidentin e vendit si dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut në tërësi.
“Propozimi siç është për momentin është i papranueshëm për mua, për presidentin, për qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bullgari a vendosi të kthehet në të kaluarën dhe të bllokoj procesin, gjë që nuk shpie askund. Ne si Republikë e Maqedonisë së Veriut kemi bërë shumë, tani radhën e ka Bashkimi Evropian”, tha Kovaçevski.
Cili është ‘Propozimi francez’?
Presidenca franceze e BE-së më 18 qershor ka dërguar një propozim për të thyer ngërçin bullgaro-maqedonas. Nuk është bërë publike, megjithëse mediat, përfshirë Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë, kanë marrë kopje. Ai “mirëpret synimin e Shkupit” për të përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë “qytetarë që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe janë pjesë e kombeve të tjera, si bullgarët”. Futja e një klauzole të tillë do të kërkonte dy të tretat e votave në parlament. Propozimi nuk përmend specifikisht një “pakicë bullgare”, por flet për detyrimin e qeverisë maqedonase për të mbrojtur të drejtat e të gjitha “minoriteteve dhe komuniteteve” duke parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.
Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi “merr parasysh” synimet e të dyja palëve për të lëshuar “deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase”, me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018. Propozimi sugjeron dy konferenca ndërqeveritare, duke përfshirë një këtë javë në Bruksel dhe një tjetër pasi Maqedonia e Veriut ndryshon preambulën e kushtetutës.
/Argumentum.al