Sekretariati i Komunitetit të Energjisë njoftoi se disa vende të Ballkanit Perëndimor do të kenë shumë shpejt funksionale bursat e energjisë dhe mes tyre edhe Shqipëria. Në një përmbledhje të zbatimit të një projekti të përbashkët për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ky institucion nënvizon se ndoshta afati më i afërt është fillimi i vitit 2021.
“Në nivelin kombëtar, asistenca teknike mbështeti krijimin e tregut të një dite më pare (Bursa) në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, shumica e të cilave pritet të funksionojnë plotësisht në muajt e parë të 2021. Barrierat kombëtare për balancimin ndërkufitar u hoqën pas miratimit të rregullave të reja të balancimit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, të zhvilluara nën ndihmën teknike. Kohët e fundit, prokurimi i bazuar në treg i shërbimeve balancuese dhe zgjidhja diskriminuese e mosbalancimit u implementua në Maqedoninë e Veriut, duke lejuar që të zhvillohet bashkëpunimi për balancimin ndërkufitar” vlerëson Sekretariati.
Aktualisht qeveria shqiptare ka hapur një procedure konkurruese të përzgjedhjes së pjesëmarrësve në kapitalin e Operatorit të Tregut duke vendosur edhe kushtet. Kjo është një hallkë e rëndësishme për fillimin e operimit të Bursës.
Lidhur me projektin specific të rajonit Sekretariati nënvizon se ndihma teknike për Ndërlidhjen e Tregut Rajonal të Energjisë në Ballkanin Perëndimor, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Sekretariati, ka arritur në fundin e saj. Buxheti i projektit prej 1 milion EUR u implementua përmes 17 projekve dhe më shumë se 50 seminareve, trajnimeve dhe takimeve, duke kontribuar në krijimin e një tregu rajonal të energjisë dhe ngritjen e kapaciteteve të 43 palëve të interesit të mbështetura direkt ose indirekt përmes projektit.
“Ndihma teknike ishte e dobishme për të hequr pengesat e mbetura për integrimin e tregut të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor. Projektet rajonale që përqendrohen në bashkimin e tregut, balancimin ndërkufitar dhe llogaritjen e kapaciteteve, konkluduan një kornizë ligjore, rregullatore dhe kontraktuale, si dhe udhëzimet me drejtimin që do ndqiet, bazuar në supozimin se 6 vendet e Ballkanit mund të integrohen në platformat evropiane, pa ndonjë pengesë shtesë. Përparimi i mëtejshëm në zbatimin e tyre do të kërkojë angazhim më të fortë politik dhe marrëveshje për kushtet në të cilat integrimi i tregut midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së do të jetë i mundur.
Për të siguruar zhvillimin e konkurrencës, u realizuan një sërë projektesh ndërkufitare të dedikuara për aftësitë tregtare të kompanive të gjenerimit në pronësi të shtetit, çertifikimin e operatorëve të sistemit të transmetimit dhendarjen funksionale të operatorëve të sistemit të shpërndarjes, duke rezultuar edhe në certifikimin e operatorët e sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe Mal të Zi” nënvizon ky institucion.