Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është shprehur i zhgënjyer me vendimin e BE për shtyrjen e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në tetor. Në një intervistë me Skype për Euronews, Bushati I cili ka qenë edhe një nga kryenegociatorët kyç për kërkesën e Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian ka akuzuar shtetet anëtare për mosmbajtjen e premtimeve mbi kalendarin e pranimit.
“Unë do të doja të shprehja zhgënjimin tim ndaj vendeve anëtare të BE, të cilat nuk iu përmbajtën konkluzioneve te qershorit të vitit 2018, ku u përcaktua rruga për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në bazë të këtyre konkluzioneve, qershori i vitit 2019 do të ishte momenti kur do vendosej data për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Është e qartë që pozicioni i disa vendeve anëtare po bëhet më i ftohtë, për të mos thënë armiqësor, për arsye të tyre të brendshme, në lidhje me politikën e zgjerimit.”
I pyetur edhe për krizën politike në vend dhe protestat e opozitës, Bushati është shprehur se palët duhet t’i japin përparësi agjendës kombëtare të integrimit, përmes kompromisit.
“Unë besoj se protestat janë shprehje e demokracisë. Në disa raste ne shohim protesta dhe në vende tjera të BE. Nga ana tjetër, dhuna është dënuar dhe ka nevojë të dënohet. Mbi të gjitha, nga ata politikanë e forca politike që e kanë mbështetur atë si instrument. Mendoj se ka rëndësi të madhe që të gjitha forcat politike të tregojnë pëegjegjshmëri, sepse kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kjo është një çështje kombëtare dhe prioritet kombëtar.”
Ish-ministri nënvizoi se pavarësisht shtyrjes së negociatave, Shqipëria do të vijojë me reformat konsoliduese dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.