Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim zyrtar Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Takimi në Prishtinë, i cili ka qenë i pari zyrtarisht për të dy ministrat, ka zgjatur për rreth një orë në zyrat e MPJD-së në Kosovë. Ministri Konjufca pas takimit tha se hapësira për t’i thelluar marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë është gjithmonë e hapur, teksa theksoi se “marrëveshjet e nënshkruara deri më tani midis dy vendeve do të përpiqemi t’i zbatojmë”.
Konjufca duke folur për bashkëpunimet ekonomike dhe tregtare, tha se ato duhet të përmirësohen.
“Prej se është vendosur tarifa 100 për qind për mallrat serbe, ndaj Serbisë prej Qeverisë Haradinaj, shkëmbimet, sa i përket Shqipërisë në drejtim të Kosovës janë rritur mbi 300 për qind. Por, kjo nuk ka ndodhur në të njëjtën masë edhe me shkëmbimet që shkojnë prej Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Kjo do të përmirësohet dhe këtë duhet ta rregullojmë sepse natyrisht që edhe vetë raportet tona tregtare dhe ekonomike duhet ta reflektojnë dhe pasqyrojnë interesin e dyanshëm”, tha Konjufca.
Tutje Konjufca falënderoi punën e Shqipërisë në politikën e jashtme kundër fushatës së Serbisë për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu Konjufca përgëzoi iniciativën e Cakajt për “t’i bërë bashkë liderët e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë bashkë”.
Ministri Cakaj tha se në takimin me Konjufcën kanë trajtuar disa probleme. Ai tha se tragjedia e 26 nëntorit, kur Kosova ndihmoi Shqipërinë e prekur nga tërmeti vdekjeprurës, ka dëshmuar se Kosova e Shqipëria janë dy shtete, por një komb.
“Në të vërtetë kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të ekzistojë fare, duhet të hiqet menjëherë dhe vendet tona duhet të gëzojnë liri të pakufizuar qarkullimi e mundësi të papenguara për ndërveprim të thelluar ekonomik”, tha Cakaj.
Cakaj tha se i ka konfirmuar homologut të tij Konjufca zhvillimin e mëtejmë të projektit për ambasada të përbashkëta, ndërsa theksoi se tashmë ka shembuj suksesi të kësaj praktike me konsullatat e hapura në “Bari, Mynih, Kopenhagë dhe tashmë e kemi edhe ambasadën e parë të përbashkët, ku ndajmë infrastrukturën në Kambera të Australisë”.
Cakaj i cili po qëndron për herë të parë për vizitë zyrtare në Kosovë që nga formimi i qeverisë së re më 3 shkurt, do të takohet dhe me presidentin e vendit Hashim Thaçi, kryeministrin Albin Kurti dhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.