Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mbajti mëngjesin e kësaj të enjteje një konferencë për media, ku në krah të homologëve italianë, njoftuan goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin online të qytetarëve italianë.
Call-Center-i lokalizuar në Tiranë, në rrugën Dritan Hoxha, dyshohet se u ka marrë personave të dëmtuar në Itali një shumë që shkon deri në 4.7 milionë euro.
SPAK njofton se si pasojë e operacionit janë lëshuar gjithsej 14 urdhër arreste. Ndërkohë që bëhet me dije se hetimi i cili zbardhi skemën mashtruese ka ardhur si pasojë e 140 kallëzimeve të bëra në Itali nga personat e dëmtuar.
Pajisje të ndryshme kompjuterike, aparate celulare, USB dhe pajisje të tjera për prodhimin e bitcoin, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara në disa banesa janë sekuestruar.
Për këtë operacion u angazhuan 60 forca policore.
Më datë 26.07.2023, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Fiananciare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në funksion të vendimit nr. 92 të datës 21.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, janë ekzekutuar 9 masa sigurie, nga të cilat 5 “Arrest në burg”, dhe 4 “Arrest në shtëpi”.
Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit Hamit Dobi, Erion Kastrati, Aldo Pasku, Gjin Shelnishta, dhe Mojsi Zuna.
Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit Greta Gjoci, Olta Toci, Rezarta Ibrahimi dhe Silvana Veliu.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit B. Ç., O. C., B. GJ., A. M., dhe F. B.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. Ç., ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më datë 23.07.2023 nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa shtetasja A. M., më datë 27.10.2022, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas.
“Ju kemi ftuar për t’ju vënë me dije lidhur me aksionin mes SPAK, u bë e mundur nxjerrja e 14 masave të sigurisë të një grupi. 4 masa janë të “arrestit shtëpiak” ndaj anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin e shitjeve online.
Janë regjistruar 140 kallëzime, të personave të dëmtuar në Itali, shuma e parave të personave të dëmtuar shkon deri në 4 milionë e 700 mijë euro. Hetimet kanë nisur pas një kallëzimi në stacionin e policisë në Pordenone. Verifikimet kanë nxjerrë skemën e mashtrimit ku viktimat kontaktoheshin të investonin nëpërmje telefonit dhe bindeshin personat të investonin në shifra të vogla, duke u premtuar se nuk do humbisnin më dhe do pasuroheshin shpejt. Disa viktima shihnin si trefishoheshin shumat e tyre të investuara në platformat e rreme online, duke i shtyrë të investonin akoma më shumë”, njoftoi SPAK.
/Argumentum.al