Shkodra bastion i demokratëve u thye pa shumë mund nga Valdrin Pjetri pa rival përballë. Por, fitorja e kandidatit socialist për drejtimin e Bashkisë Shkodër duket se është e lidhur pashmangshmërisht me fundin e tij politik pasi demokratët nxorën në dritë dënimin e tij të fshehur për trafik droge në Itali.
Pak orë pasi PD hapi letrat, Valdrin Pjetri humbi mbështetjen e Edi Ramës, i cili u distancua nga i zgjedhuri i tij lokal deri sa të flasë drejtësia. E marta i dha një kthesë të re betejës për bashkinë e Shkodrës. Ndoshta as Voltana Ademi, s’e kishte besuar se karrigen e kryebashkiakes do e mbante pa dhunë.
Autoritetet shqiptare dhe italiane kanë nisur procedurat e verifikimit pas denoncimit të demokratëve e nëse vërtetohet se Valdrin Pjetri ka gënjyer jo vetëm partinë, por edhe shkodranët ai nuk do e gëzojë asnjë ditë bashkinë e Shkodrës. Më 20 gusht kur i përfundon edhe mandati i kryebashkiakes demokrate parashikohej të bëhej konstitituimi i Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës, por gjithçka është pezull deri në një vendimmarrje politike nga socialistët të cilët presin një përgjigje nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Nëse akuzat ndaj Vladrin Pjetrit vërtetohen edhe nga organet e drejtësisë shqiptare dhe italiane atëherë kandidati socialist largohet për shkak të dekriminalizimit, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Shkodër. Në këtë moment, në lojë futet edhe presidenti, i cili duhet të vendosë për një datë të re zgjedhjesh. Por, Ilir Meta nuk e njeh 30 qershorin, dhe automatikisht as kryebashkiakët e dalë prej këtij procesi.
Kryetari i shtetit ka dekretuar 13 tetorin si datë zgjedhjesh ndaj dhe topi është në fushën e Ilir Metës. Deri sa drejtësia të flasë, të gjithë skenarët janë të hapur ndërsa Voltana Ademi pritet të gëzojë Shkodrën deri në një zhvillim të ri politik. A do të përsëriten zgjedhjet edhe për këshill bashkiak, apo ai do të konstituohet dhe zgjedhjet do të mbahen vetëm për kryebashkiak dhe ç’do të bëjë Partia Demokratike dhe opozita në një zhvillim të tillë? Këto pyetje pritet të marrin përgjigje në ditët në vijim. (tch)