Çelja e konsullatës së përgjithshme në Strugë do të ketë rol të veçantë në nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike, shoqërore e kulturore mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e ka cilësuar si një lajm fantastik për Shqipërinë e shqiptarët çeljen e kësaj konsullate.
“Në përputhje me planin për të thelluar marrëdhënien e shtuar ndërveprimin me shqiptarët në rajon, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë tashmë ka marrë vendim për çeljen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë, në Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar Cakaj.
Ai është shprehur se, “rrethi konsullor i kësaj qendre përfshin Strugën, Ohrin, Manastirin, Kërçovën, Dibrën, Gjevgjelinë, Resen/rajon i Liqenit të Prespës. Pra, kjo konsullatë do të ketë rol të veçantë edhe në nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike, shoqërore e kulturore mes tyre dhe Republikës së Shqipërisë”.
“Ne do të vazhdojmë me marrjen e masave të reja në shërbim të forcimit të lidhjeve me shqiptarët e lartësimit të faktorit shqiptar në rajon”, ka shtuar Cakaj.
© Argumentum