Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në një intervistë me gazetarin Franko Egro, për Balkan Talks në Euronews Albania tha se pret nga Bashkimi Evropian të mbajë premtimin, pasi shteti që ai drejton ka bërë gjithçka përmes sjelljeve evropiane, përmes reformave të suksesshme, përmes shoqërisë së suksesshme multi-etnike, me mënyra evropiane të zgjidhjes së problemeve me fqinjët.
“Unë shpresoj se më 22 qershor mund të merret vendimi. Unë pres që BE të mbajë premtimin,”- tha kryeministri Zaev.
Gjatë intervistës me gazetarin Franko Egro, kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se u befasua nga vetoja për çeljen e negociatave mes RMV-së dhe Bashkimit Evropian, që Bullgari i vendosi Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 pasi për të arsyet e vetos nuk janë të qarta deri në fund.
“Po, isha unë dhe i gjithë populli im të befasuar. Përnjëherë ndodhi bllokimi apo vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut, për arsye të cilat nuk janë të qarta deri në fund. Me siguri janë për shkak të debatit të brendshëm në Bullgari, për shkak të debatit të Bullgarisë me Bashkimin Evropian, por me siguri edhe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, tha ai.
Sipas kryeministrit, Zaev këto pakënaqësi duhen zgjidhur dhe institucionet duhet të bashkëpunojnë më shumë që në ditët në vijim Bullgaria të bëjë hapin Evropian.
“Bullgaria, ka pakënaqësi në realizimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim, kjo për ne duhet patjetër të ketë rëndësi, që t’i largojmë ato pakënaqësi. Unë pres që në ditët vijuese Bullgaria ta bëjë hapin evropian, ndërsa ne do t’i marrim obligimet, që në mënyrë bilaterale të bëjmë realizim akoma më efikas të marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, theksoi Zaev.
Pyetur nga gazetari Franko Egro se sa mund të realizohet “hapi evropian” nga Bullgaria duke qenë se e ka refuzuar prej një viti tashmë.
Kryeministri Zaev tha se nuk është e lehtë, por beson në zgjidhjen, pasi garancitë që i kërkon Bullgaria, i ka në “Marrëveshjen për Stabilizim Asociim”, ku flitet për fqinjësi të mirë.
“Nuk është lehtë, prandaj edhe them, te ne madje nuk i rrisim pritjet, pasi Bullgaria ka Qeveri Teknike, Qeveri të përkohshme që sipas Kushtetutës ka legjitimitet të plotë dhe mundësi kushtetuese që të sjellë vendime të tilla. Unë besoj se është e mundur të gjendet zgjidhje këtu, pasi garancitë i ka në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, ku flitet për fqinjësinë e mirë, por gjithsesi se edhe Bashkimi Evropian këtu i ka të gjitha kapitujt, ku vendoset me konsensus nga ana e të gjitha vendeve anëtare në BE”, shtoi ajo./Euronews Albania