Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë.
1,589,659 banorë është numri i popullsisë në Kosovë, sipas procesit të regjistrimit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Nga ta janë 795,046 meshkuj dhe 791,614 janë femra. Këto shifra përfshijnë vetëm banorët vendorë dhe jo diasporën. Nga gjithsej 38 komuna të Kosovës, 9 prej tyre kishin rritje të popullsisë, 29 të tjera kishin zvogëlim të numrit të popullsisë.
Këto të dhëna janë prezantuar sot nga Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë ku po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministra, kryetarë komunash e ambasadorë.
Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati tha se numri rezidentë i banorëve në Kosovë është 1 milionë e 586 mijë e 659 banorë.
Ndërkaq, nga diaspora sipas të dhënave preliminare janë regjistruar 600 mijë banorë.
Ai tha se 795 mijë e 46 janë meshkuj, ndërsa 791 mijë e 614 femra.
Kastrati tregoi se janë 560 mijë banesa të banueshme dhe se ekonomitë familjare janë në rritje me 353 mijë.
Kastrati tregoi se në vitin 2011 mosha mesatare ishte 29 vjet ndërsa në vitin 2024 mesatare rreth 34 vjet.
Ai potencoi se në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë pati bojkotim në masë të madhe gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.
Koordinatorja për zhvillim në UNKT, Arnhild Spence, tha se regjistrimi i popullsisë është një arritshmëri në shtegtinë kosovare drejt zhvillimit. Ajo tha se zhvillimi i qëndrueshëm bazohet në të dhëna dhe se në Kosovë kemi shumë të tilla.
Spence theksoi se duhet kushtuar vëmendje zvogëlimit të varfërisë, për çka potencoi se zhvillimi i ekonomisë nuk është i barabartë dhe se duhet punuar qe të përfitojnë ata që janë më të cenueshëm.
Ndërkaq, për aspektin ndërkombëtar të Regjistrimit të Popullsisë foli Eduard Jongstra, për çka tha se kanë vëzhguar intervista për së afërmi dhe është vërtetuar se pyetësori i përmbushë të gjitha rekomandimet që ekzistojnë në arenën ndërkombëtare.
Regjistrimi i popullsisë ka filluar me 5 prill dhe ka përfunduar me 24 maj.
Kurti: Regjistrimi i popullsisë – orientim i politikave më të mira
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë ka mundësuar ofrimin e të dhënave, të cilat dërgojnë te orientimi i politikave më të mira për qytetarët.
“Nxjerrja e të dhënave të shumta, të plota dhe të sakta do t’ju mundësojë të gjithë shfrytëzuesve dhe vendimmarrësve duke filluar nga niveli lokal e qendror, por edhe për organizatat donatore e investitorët perspektivë, për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”, ka thënë kryeministri, transmeton RTKlive.
Kurti përtej anës statistikore, e ka vlerësuar procesin si reflektim të përkushtimit për të kuptuar nevojat e qytetarëve. Ai i ka çmuar bashkëpunimet e Kosovës me organizatat dhe investitorët e huaj, duke thënë se tashmë kanë të dhëna faktike për të ardhmen.
“Një Agjenci e fuqishme e Statistikës e cila ofron të dhëna të besueshme dhe statistika të azhurnuara është një aset i çmuar për vendin”, ka thënë ai.
“Marrë parasysh përvojën e vitit 2011, ASK harmonizoi pyetësorin me rekomandime ndërkombëtare. ASK kërkoi nga institucionet ndërkombëtare në fushën e regjistrimeve që të ketë një vlerësim të pavarur të procesit”, ka thënë Eriona Huruglica nga ASK.
Regjistrimi i Popullsisë zgjati shtatë javë, teksa është regjistrimi i dytë në vend.
Alberit Sopa ka marrë shpërblimin prej 10 mijë euro pasi në lojën shpërblyese ka vlerësuar numrin më të përafërt me numrin e saktë të popullsisë rezidente.
/RTK-Argumentum.al