Enti për Statistika i Maqedonisë Veriore ka publikuar sot rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në këtë vend.
Në një konferencë për media, drejtori i Entit Shtetëror për Statistika Apostoll Simovski ka thënë se Maqedonia Veriore ka popullatë prej 2.197 319 personash, ndërsa popullata rezidentë është 1.836.713 persona.
”Personat e deklaruar 54.21% janë maqedonas, 29.52 për qind janë shqiptarë, 3.98 si turq, 2.34 si romë, 1.18 për qind si serbë, 0.87 si boshnjakë dhe 0.44 si vlleh. Nga popullata e përgjithshme rezidente, 58.44% janë deklaruar si maqedonas, 24.3 për qind si shqiptarë, 3.86 si turq, 2.53 si romë, 0.47 për qind si vlleh, 1.3 si serb, dhe 0. 87 si boshnjakë”, tha Simovski.
Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.
Në bazë të të dhënave nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.
Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka përgëzuar Entin Shtetërorë të Statistikave për realizimin e procesit të regjistrimit. Kovaçevski siguron se i gjithë procesi është në përputhje me të gjitha standardet evropiane.
“Regjistrimi është kryer në përputhje me të gjitha standardet statistikore evropiane dhe ka ofruar të dhëna që janë vlerësuar si të sigurta, të besueshme, të vlefshme dhe të dobishme. Regjistrimi përmban informacione relevante për gjendjen reale të popullsisë, që i mundëson shtetit të planifikojë dhe të krijojë politika në interes të qytetarëve dhe biznesit”, ka shkruar Kovaçevski.
“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojnë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vjte për shpalljen e rezultateve, në këtë e bënë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, deklaroi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski.
Lidhur me rezultatet e regjistrimit, nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, Maqedonia e Veriut pas 20 vjetësh ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend.
“Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan regjistrimin si proces që filloi në muajin mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit, e që përfundoi në shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka shkruar Ahmeti.
/Argumentum.al