Bordi drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe drejtues të bizneseve anëtare zhvilluan më 29 prill një video-takim me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, ku u diskutua gjerësisht mbi sfidat e Covid-19.
Bordi i AmCham dhe drejtuesit e kompanive anëtare shprehën shqetësimin mbi situatën aktuale ekonomike dhe theksuan se nga ana e qeverisë duhet të ndërmerren masa të tjera lehtësuese për të frenuar efektet e padëshirueshme tek bizneset dhe industritë përkatëse. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përcaktimi i korridoreve me zona të sigurta ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, theksoi rolin e rëndësishëm që Dhoma Amerikane e Tregtisë ka luajtur në identifikimin e problemeve dhe rekomandimet e bëra ndaj qeverisë, me zgjidhjet që ofrojnë impakt lehtësues për bizneset. Gjithashtu, Ambasadorja vlerësoi donacionet dhe angazhimin e kompanive anëtare të AmCham për t’i ardhur në ndihmë komunitetit shqiptar në këto kohë të vështira.
Gjatë takimit, Ambasadorja Kim dhe përfaqësuesit e Dhomës Amerikane shkëmbyen mendime të drejtpërdrejta mbi sfidat që bizneseve ju është dashur të kapërcejnë dhe ato me të cilat po përballen. Takimi ka shërbyer gjithashtu si një platformë për të diskutuar edhe mundësitë e përshtatshme për rihapjen e ekonomisë pa cenuar prioritetin e sigurisë shëndetësore.
Rritja e shkëmbimeve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është një nga prioritetet kryesore të ambasadores Kim dhe Dhomës Amerikane. Mbështetja e ambasadës për komunitetin e biznesit, do të ndihmojë AmCham dhe anëtarët e saj të mbështesin zbatimin e hapave të mëtejshëm të rëndësishëm që duhet të ndërmerren për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.