Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e homazheve në nderim të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, u nderua me homazhe në ceremoninë e mbajtur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, ku nga sot do të prehet trupi i tij.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në këtë ceremoni së bashku me Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, ku të pranishëm ishin Patriarku Eumenik Bartoleme, hierarkë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe klerikë dhe qindra besimtarë nga të gjitha mitropolitë.
Në nderim të figurës së Kryepeshkopit Janullatos dhe kontributit që ai ka dhënë për 33 vite në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalë.
“Në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jetë kushtuar ngjalljes duhet thënë pa farë dyshimi se në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vjet më parë, si një prift nga Greqia dhe pas 33 vjetësh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë.” – tha mes të tjerash kryeministri Rama.
* * *
“Fort të lumë janë qysh tani ata që flenë në Zotin. Po, thotë Shpirti i Shenjtë, le të pushojnë nga punët e shumta sepse veprat e tyre flasin për ta”, – shkruhet në Zbulesën e Apokalipsit.
Tërëshenjtëria juaj, Patriarku Ekumenik Bartolome!
Fort të nderuar anëtarë, hierarkë të shenjtë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë!
Fort i nderuar Mitropolit Joani, Mbikëqyrës i Mitropolisë së Shenjtë të Tiranës dhe Durrësit!
I nderuar, Kryeministër i Greqisë dhe mik i mirëseardhur Kyriakos Mitsotakis!
Komuniteti ortodoks është sot në zi!
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është sot e ve.
Kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij vikare si pasrendës i apostujve në shërbim të shpresëtarëve ortodokse të Shqipërisë.
Jeta e tij fort e gjatë, por mbi të gjitha fort kuptimplotë qe një jetë për mbarë Kishën Katolike dhe Apostolike në kuptimin patristik të fjalës, në atë kuptim që merr në “Besojmën” e madhe të Koncilit të Nikesë mbajtur 1700 vjet më parë nën kujdesin e Kostandinit të Madh.
Plot 33 vite ungjillëzim në viset e Shqipërisë, nga viti tanimë i largët 1992 e deri më sot janë njw shifër tejet domethënëse dhe jo vetëm simbolikisht e përputhur me moshën e Jezu Krishtit.
Nga këto 33 vite, 3 shërbyen për të predikuar ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare dhe plot 30 tw tjera për të punuar si një zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Si nga një pikëpamje e thjeshtë njerëzore, si nga një pikëpamje thellësisht shpirtërore, jeta e Anastas Janullatosit ishte një jetë tërësisht e përmbushur përderisa përmes saj u realizua me gjithsej ëndrra e një fëmije.
“Kur isha fëmijë, – kujtonte Kryepeshkopi i ndjerë, – nuk më mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, po duhet t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin. Si hierark i një bashkësie shoqërore historike, me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të Kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar e janë qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna tek veprimtaria publike edhe qytetare, e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe, deri edhe tek zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës, por edhe kjo, më së paku, dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë dhe në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkundën nga fryn era dhe që gjithnjë e më pak mundësi i lihet “Shpirtit të Shenjtë të fryjë nga të dojë”, siç shkruhet tek gjeneza, por përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër, andej dhe këtej kufirit rri hapur pas gjysmë shekulli heshtje mortore dhe të shuara më pas si një hall në oborr të përbashkët dhe përtej paragjykimeve dhe dyshimeve kronike të lagjes sonë ballkanike, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me durim dhe përkushtim të madh në një vathë që të kujton shtëpinë e përtërirë nga arratia e demonëve për të cilën flet Jezusi në Ungjillin sipas Mateut.
Nuk kam unë për qëllim këtu të bëj as nekrologjinë dhe as eulogjinë e këtij prelati, të cilin për hirin e pamohueshëm të së vërtetës, gjithë çfarë mban rruzulli në njerëz të nderuar të fesë, intelektualë të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetar në artizanë të komunikimit mes kulteve dhe kulturave dhe deri tek çdo kryetar shteti apo qeverie që e njohu, ia patën shumë zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua dhe miku im, Kryeministri Mitsotakis, i cili na nderon sot me praninë e tij dhe të delegacionit të nderuar që e shoqëron për të nderuar figurën epokale të Kryepeshkopit, Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo sot merr frymë lirisht, duke dhënë njëkohësisht me këtë prani, mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Kam pasur privilegjin të jem i pranishëm këtu në këtë Katedrale që Kryepeshkopi Janullatos ia kushtoi ngjalljes së Krishtit, ngjalljes së trupit të tij mistik në Shqipëri kur u bë inaugurimi dhe shugurimi i saj. Ishte dita e madhe e shpërblimit të mundit të tij të gjatë për ndërtimin e saj në një rrugëtim ku dhe mua mu dha mundësua ta shoqëroj bashkë me të tjerë, fillimisht si kryebashkiak e më pas si kryeministër, deri kur ai e bëri më në fund realitet.
Atë ditë, ai mund i patregueshëm deri sa Katedralja hapi dyert u kremtua me pjesëmarrjen e patriarkëve dhe mitropolitëve të të gjitha kishave ortodokse te botës. Të atillë prestigj dhe peshë në një rrafsh shumë më të gjerë sesa kufijtë tanë, as ortodoksia shqiptare po as vetë Shqipëria nuk e kishin ndjerë e lere pastaj, mishëruar ndonjëherë në rrafshin fetar.
Ishte një nderim solemn që mbarë bota ortodokse i bënte Kishës së saj autoqefale dhe vetë Shqipërisë, çka do të ishte e pamundur të imagjinohej pa praninë, pa rolin dhe pa personalitetin respektuar botërisht, të Kryepeshkopit tonë.
Sot më takon të kujtoj në nderin e tij, diçka që shumë e kanë parë apo e kanë ndjerë dhe shumë të tjerë s’e kanë kuptuar apo s’kanë dashur ta besojnë, por që në fund të fundit ai vetë e dëshmoi në 33 vjet dhe e dëshmon edhe sot me trupin që la këtu në tokën e Shqipërisë, i cili me kërkesën e tij do varroset pikërisht në këtë Katedrale të ringjalljes së Krishtit siç ai e quajti Katedralen dhe siç ngjallje kishte dhe vet kuptimin e emrit të tij. Kësisoj në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jete kushtuar ngjalljes duhet thënë pa farë dyshimi se në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vjet më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vitesh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë.
Duhet pranuar se është vështirë, shumë vështirë të gjendet ne kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të ketë qenë, qw të jetë identifikuar me aq krenari dhe aq përkushtim me fjalë dhe me vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas.
E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë por durim. Dhe ata le të kundrojnë me reflektim të paqtë dhe natyrisht të çliruar nga paragjykimet apo nga dyshimet fqinjësore vetëm disa nga veprat e tij, ku ashtu siç njihet pema e mirë nga frutet e saj, lexohet pa asnjë ekuivok edhe identifikimi i tij me Shqipërinë tonë.
Sot dëgjohet në diptikët e shenjtë në të gjitha gjuhët liturgjike të Ikumene-sw ortodokse, emri i Kryepeshkopit të Shqipërisë i renditur menjëherë pas selive patriarkale dhe dy kishave autoqefale, asaj të Qipros dhe asaj të Greqisë. Kur e dëgjon këtë përnderim liturgjik është e pamundur të mos i jesh thellësisht mirënjohës njeriut që përcjellim sot, aq më tepër po të mos e harrosh që pas shkrirjes në flaken 23 vjeçare të ferrit ateist, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ishte vetëm hija e një kujtimi. Ekzistenca e kësaj kishe me frymën që për 33 vite i dha bariu i saj Anastasi i Shqipërisë është mirëfilli sot një aset konstitutiv i vetë pavarësisht, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, një “Kishë e lirë në një shtet të lirë”.
Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithë aq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij, prania e këtij trupi pa jetë të rilindësit të kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht përpara pak kohësh në një intervistë të dhënë për shtypin grek e cila tingëllon më shqip sesa shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar e dyshuar vetëm e vetëm se ai ishte grek, kryepeshkopin e ortodoksëve shqiptarë i cili tha: pasuesi im do të jetë shqiptar. Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam mësuar ta respektoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme. A do ta pranonim ta drejtonte kishën e Greqisë një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni. Ne shkuam për të bërë një kishë autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e kishës së Greqisë. Ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”, – e mbyll shprehjen e tij lapidare kryepeshkopi ynë.
Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtuesi dhe paqe bërësi, çfarë greku në kombësi dhe çfarë shqiptari në shtetësi! Dinjitetin e martirizuar të kësaj kishe dhe të kreut të saj, larë me djersën dhe gjakun e stërmundimeve të Kristofor Kisit dhe Damian Kokoneshit, Irena Banushit dhe sa e sa të tjerëve, Kryepeshkopi Anastas e rivendosi të plotë në altarin e saj të rilindur duke i dhënë mundësinë kishës autoqefale të Shqipërisë, klerit dhe besnikëve te saj që sot ta marrin stafetën nga ky atlet triumfator i Krishtit dhe ta çojnë përpara në liri të plotë, në pavarësi të pakthyeshme dhe me një siguri të garantuar.
Mjafton ta dëshirosh dhe ke plotë çfarë të mësosh prej trashëgimisë së këtij njeriu që refuzoi me përulësi të rrallë qindra, mbase mijëra ftesa për armiqësi, për duel, për polemikë të cilat i erdhën pa kursim nga të katërta anët deri në ditën e fundit të jetës. Ai që duke mos qenë as vendas, mund të ishte dhe më i legjitimuar të vinte kujën për diskriminimin dhe keqtrajtimin parapëlqeu të ndiqte udhërrëfyesin e apostullit Pal apo Pavël siç e thërrasin ortodoksët, “megjithëse jam i lirë kundruall të gjithëve u bëra shërbëtori i të gjithëve, që të tërhiqja pas fjalës së Zotit sa më shumë njerëz”.
I lexuar si pak të tjerë dhe i hapur ndaj kulturës së madhe kryepeshkopi i nëntë gjuhëve që me mua kishte qejf të argëtohej duke këmbyer ndonjë fjalë mbi xhevahiret e Biblës po edhe të letrave laike, në ato pak momente që mbeteshin pasi më qante hallet e Kishës me siguri nuk do të mbante mëri, por jam i bindur do vinte në gaz këtë buzën e tij që për hir të së vërtetës i thoshte të tëra bashkë me ato që nuk thoshte sepse dua t’ia jap lamtumirën me disa rreshta të një emri të mallkuar, Oscar Wilde në De profundis-in e tij.
“Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë për t’u dashur dhe për t’u adhuruar nga të tjerët, por ne duhet të jetonim për të dashur dhe për të adhuruar të tjerët. Nëse dikush na jep dashuri, duhet ta pranojmë vetë se jemi të padenjë për tu dashur. Askush s’është i denjë për t’u dashur. Vet fakti që Perëndia e do njeriun, na tregon se në rendin hyjnor të gjërave dashuria e përjetshme u jepet pikërisht atyre që janë përjetësisht të pa denjë për të. Nëse kjo duket fort e hidhur le ta kthejmë së prapsi dhe le të themi që gjithë njerëzit janë të denjë për t’u dashur me përjashtim të atyre që e meritojnë me të vërtetë”.
Fort të dashur besimtarë ortodoksë të mbledhur këtu nga të katër anët e këtij vendi, por dhe nga më larg, sot komuniteti ortodoks, jo vetëm në Shqipëri, por kudo gjetkë ka zi.
Sot kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është në zi, por le ta themi serish me Shën Palin apo Pavlin “Gëzohuni gjithnjë në Zotin”. Jua përsëris, gëzohuni”.
Humbët në këtë jetë kryepeshkopin e 33 viteve që përmes fjetjes në Zotin, “ndërroi jetë”. Kjo ishte një shprehje që ai e konsideronte ndër më të bukurat e gjuhës shqipe, por ama fituat Anastastin e Shqipërisë!
Fituat një avokat atje lart, pranë Zotit që liturgjia e Shën Joan Gojartit e quan aq bukur një “mik të njeriut”.
Fituat shembullin e një shpërblestari të pajtimit në tokë që tashmë iu takon të gjithëve ta ndiqni dhe për hir të së vërtetës na takon të gjithëve ta ndjekim në këtë dhe në atë anë të kufirit, i cili nuk na ndan aq shumë sa në të vërtetë na bashkon.
Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë në amshim dhe përdëllimi i kësaj dite sjelltë në zemrat e gjithsecilit prej jush ngushëllimin e Zotit të jetës.
Amen!
/Argumentum.al