Marrëdhëniet politike të Shqipërisë dhe Greqisë duket se kanë arritur një pikë të nxehtë tyre muaj pas arrestimit të Fredi Belerit etnik grek që u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në Shqipërinë e Jugut në zgjedhjet bashkiake të 14 majit (por ende nuk është betuar si kryetar bashkie pasi u arrestua për blerje votash dy ditë para këtyre zgjedhjeve).
Ndërsa sonte në Greqi sonte pritet të mbahet darka informale e liderëve të Ballkanit Perëndimor, e organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitostakis, Tirana zyrtare nuk do të jetë e pranishme. Shqipëria ka qenë e ftuar në nivel presidenti, por siç ka bërë me dije Presidenca, Begaj ka refuzuar pjesëmarrjen për shkak të agjendës së përcaktuar më herët.
Por zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, tha të dielën se ftesa e munguar për kryeministrin Edi Rama në darkën e shtruar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ishte pasojë e qëndrimeve për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, në jug të Shqipërisë Fredi Beleri.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të respektojë standardet bazë të shtetit ligjor dhe se Greqia nuk do të bëjë asnjë hap prapa.
“Qeveria greke, me një sërë ndërhyrjesh të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, është e koordinuar me shtetin ligjor, jo vetëm me Fredi Belerin, një kryetar bashkie i zgjedhur ligjërisht, i cili duhet të betohet. Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit të së drejtës dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap prapa për këtë”, tha Marinakis.
Në mediat greke duket se kjo është tema kryesore për të cilën flitet duke theksuar kështu edhe shqetësimin që krijon cështja Beleri në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve fqinje.
“Gazeta greke Ekathemirini” në artikullin e saj shterues për problemet e hapura aludon se kryeministri shqiptar i ofroi Greqisë garanci në prapaskenë menjëherë pas zgjedhjeve të dyta greke në fund të qershorit se “çështja e Belerit do të zgjidhet”.
Kryeministri shqiptar thuhet se në prapaskenë i ofroi Greqisë garanci, menjëherë pas zgjedhjeve të dyta greke në fund të qershorit, se “çështja e Belerit do të zgjidhet”.Sot kuptohet se ai mund të ketë bërë bllof për të blerë kohë që të skadojnë tre muajt e paraburgimit dhe procesi të kalojë në fazën tjetër, që është përjashtimi automatik i Belerit nga kryebashkiaku, shkruan Ekathimerini
E përditshmja e vendit fqinj e nis artikullin: “Athina është e shqetësuar se Fredi Beleri, greku etnik që u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në Shqipërinë e Jugut në zgjedhjet bashkiake të 14 majit mund të humbasë vendin si pasojë e lëvizjeve të qeverisë së Edi Ramës në tre muajt e fundit”
Në artikull, Ekathemirini i referohet Kodit Zgjedhor Shqiptar, duke theksuar se pas 20 gushtit, në përfundim të tre muajve, Ministria e Brendshme e Shqipërisë mund të pretendojë se Beleri nuk mund të bëjë betimin pasi nuk jeton brenda kufijve të bashkisë së tij dhe mund të shkarkohet automatikisht nga detyra.
Media greke sjell në vëmendje protestën e mbajtur pak dite më parë duke shtuar se kryebashkiakët pjesëmarrës kishin shkuar me udhëzimin e kryeministrit duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë të Athinës
“Qëndrimi i Athinës ndaj Belerit u shfaq javën e kaluar me protesta në favor të tij, ku, në konsultim me kryeministrinë dhe Ministrinë e Jashtme, morën pjesë kryebashkiakët e Athinës, Kostas Bakojanis dhe Selanikut, Konstantinos Zervas”
Ekathemirini shton se Beleri u zgjodh me mbështetjen e partisë së ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa Athina e kupton se nuk është e kujdesshme të vihet në dyshim pavarësia e sistemit të drejtësisë shqiptare, ndaj retorika ka ndryshuar paksa duke kërkuar të lihet mënjanë çështja e lirimit nga burgu, por vetëm të lejohet që Beleri të bëjë betimin edhe nga burgu.
Sipas medias fqinje, ekspertët e Ballkanit thonë se Rama mund të përballojë të luajë një lojë të vështirë me Athinën, sepse Berisha është “i padëshirueshëm” në Uashington, ndërsa referuar burimeve shton se Beleri nuk ka vizë për në SHBA.
Një skenar i avancuar, shkruan Ekathemirini, sheh Belerin të humbasë kryesimin e Bashkisë dhe më pas zëvendësimin e tij në Himarë nga një grek etnik i “moderuar” jashtë rrethit të influencës së Berishës, gjë e cila është diskutuar në disa kryeqytete dhe mund të materializohet përfundimisht.
Nga ana tjetër, Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale në Greqi, Adonis Georgiadis ‘kërcënoi’ se do të bllokonte financimet për Shqipërinë dhe se do të paguajë një çmim shumë të lartë. Ai paralajmëroi Shqipërinë me një gjuhë të ashpër nëse nuk bëhet betimi i Belerit, Shqipëria do të ketë pasoja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ta harrojë paratë nga BE nëse pengon betimin e Beleri. Shqipëria do të harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës. Shqipëria do paguajë çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve.”- tha ministri i Punës në Greqi.
Kjo deklaratë e ashpër vjen pak pasi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dha një mesazh haptazi për krisjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me protagonist kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i arrestuar për shitblerje votash. Mitsotakis ftoi në një takim informal të gjithë krerët e Ballkanit Perëndimor dhe përjashtoi Ramën, ndërsa ftesa e tij u refuzua nga Presidenti Bajram Begaj.
Lidhur me këtë zhvillim, Ministri u shpreh se tregon vendosmërinë e palës greke për të zgjidhur çështjen Beleri.
“Vendimi i Kyriakos Mitsotakis për të ftuar të gjithë të tjerët, përveç Ramës, mendoj se tregon se çështja e Fredi Belerit nuk po kalon aspak pa pengesa në qeverinë greke”, tha ministri.
Mospjesëmarrja e Shqipërisë në darkë, vjen në një kohë kur Tirana dhe Athina zyrtare janë përplasur për çështjen e Fredi Belerit.
Nga njëra anë është qeveria greke që kërkon lirimin nga qelia të kryebashkiakut të Himarës dhe nga ana tjetër qëndrimi i pandryshuar i Ramës, i cili arrestimin dhe hetimin e Belerit në akuzë për blerje të votave, e quan çështje të drejtësisë në të cilën Greqia nuk duhet të ndërhyjë.
/Argumentum.al