Marrja në pyetje e personaliteteve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, vazhdon nga janari i këtij viti.
Nga organizata e veteranëve të luftës në Kosovë janë thirrur deri tani 40 vetë.
Haradinaj e dha vetë lajmin më 19 korrik në mbledhjen e Qeverisë, kur edhe dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës.
Ai tha se në Hagë duhet të shkojë si qytetar i thjeshtë e jo si kryeministër shteti.
Ligji i Kosovës për Prokurorinë e Specializuar i autorizon prokurorët për të hetuar të dyshuarit e mundshëm dhe për të mbledhur prova.
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari nuk do të detyrohet të pranojë fajësinë, thuhet në ligj.
I dyshuari gjithashtu paralajmërohet se çdo deklaratë që është e shkruar mund të përdoret si dëshmi. I dyshuari ka të drejtën e ndihmës së avokatit mbrojtës sipas zgjedhjes së tij.
Pasi të vërtetohet se ekziston dyshim i arsyeshëm se një person është përgjegjës për një vepër penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, prokurori përgatit aktakuzën dhe e dorëzon atë me materiale shoqëruese te Dhomat e Specializuara (gjykata speciale).
Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera që lidhen me pretendimet e një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Kjo gjykatë ka kompetenca mbi veprat penale të kryera në Kosovë nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor, 2000.
Prokurori i parë i ekipit të hetimeve, Clint Williamson, pas hetimeve në vitin 2014, pati thënë se ka prova që janë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave.
Pas formimit të gjykatës, hetimin e krimeve të dyshuara e ka vazhduar David Schwendiman, po ashtu amerikan, por ai, në mars të vitit 2018, është larguar nga kjo pozitë, pas përfundimit të mandatit në shërbimin diplomatik amerikan.
Në vend të tij ka ardhur Jack Smith, prokurori aktual.
Në Kosovë, për shkak të pakënaqësive me formimin e kësaj gjykate, veteranët e UÇK-së kanë mbajtur edhe protesta, ndërsa një peticion me mbi 15 mijë nënshkrime ka nxitur disa deputetë që të përpiqen të shfuqizjnë gjykatën në Kuvendin e Kosovës.
Por, kjo nismë, pas reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, ka dështuar.
Kjo është hera e dytë që Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit, në të cilën është zgjedhur në shtator të vitit 2017.
Haradinaj ka dhënë dorëheqje për të njëjtat arsye edhe në vitin 2005. Atëbotë, ai i është dorëzuar vullnetarisht Tribunalit të Hagës, ku është akuzuar për krime lufte. Shtatë vjet më vonë, më 2012, ai është liruar nga të gjitha akuzat.