Presidenti Meta akuzoi kryeministrin Rama dhe shumicën socialiste se po hedhin poshtë marrëveshjen e 5 qershorit, me nismën për ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Në një konferencë për shtyp, Meta tha se shumica socialiste po ‘zeron’ të gjithë punën që bënë palët për të arritur konsensus për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pasi kërkon të bëjë ndryshime të njëanshme të Kushtetutës:
“Iniciativa e shumicës për të ndryshuar kushtetutën e prish marrëveshjen e 5 qershorit dhe e zeron këtë arritje të Shqipërisë dhe dëmton edhe kredibilitetin e ministrit të jashtëm edhe si kryetar i OSBE-së.”
Meta tha se kuvendi aktual ‘nuk ka legjitimitetin e plotë për reformat kushtetuese’dhe se po vazhdon me diskutimet për reformën zgjedhore në shkelje të Kushtetutës, pasi dorëzimi i nismës në parlament është bërë në 15 qershor, kohë kur në Shqipëri ishte ende në fuqi gjendja e fatkeqësisë natyrore:
“Asnjë rishikim nuk mund të merret kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. Ndërmarrja e nismës së këtyre deputetëve së frymëzuar nga kryeministri bie ndesh dhe është e pavlefshme.”
Nuk i ngjante daljeve javore të tij, kur fliste për shumë çështje.
Në një konferencë të pazakontë për shtyp, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli vetëm për ndryshimet Kushtetuese dhe pasojat e saj. Jo vetëm nga ana ligjore, por edhe politike. Ishte një qëndrim i paralajmëruar këtu e tre ditë më parë. Deklarata e Metës ishte e fortë dhe shteruese.
Ndryshe nga PD-ja që, përmes Gazmend Bardhit (dy ditë rresht) përcjell qëndrimin e vakët, pa bërthamë politike se, “pasojat kushtetuese do të jenë të rënda për stabilitetin dhe integrimin e vendit”, Presidenti Ilir Meta u shfaq shumë më i drejtpërdrejtë.
Politikisht në daljen e sotme Meta mund të konsiderohet ashiqare si zëri i opozitës.
Pse?
Sepse Ilir Meta tha se nuk i njeh ndryshimet kushtetuese që do të kalojë Edi Rama, tha se këto ndryshime zerojnë marrëveshjen e 5 qershorit, tha se ky Kuvend është ilegjitim (edhe pse ai vetë pranoi se ishte ‘detyruar’ të kalonte ligje të miratuara prej tij), kujtoi 2 marsin për të paralajmëruar se në një situatë të mundshme, ai sërish do lëvizë politikisht po aq fort sa atëherë kur mblodhi popullin në shesh për të kërkuar shpërndarjen e Kuvendit. Si dhe përmendi referendumet edhe për hapjen e listave dhe koalicionet.
Ilir Meta dukej i tensionuar, nuk pranoi pyetjet e gjithë gazetarëve, dhe i mundua t’i vendoste kufirin tek thana Edi Ramës kur i kujtoi se, ndryshe nga ky i fundit, sovrani nuk i përket Kuvendit, por vetëm popullit.
Po Lulzim Basha?
Basha, së fundmi, dy herë ka nxjerrë Gazmend Bardhin për të përcjellë qëndrimin se po rrezikohet stabiliteti i vendit, ka përcjellë vetë të njëjtin mesazh (vetëm me deklaratë) nga takimi me Ilir Metën, nuk ka dhënë qëndrim se çfarë do të bëjë PD-ja në rast se Rama i kalon ndryshimet, dhe ka përcjellë pa ndonjë vëmendje të madhe arsyet se pse ndryshimet kushtetuese shkelin marrëveshjen e 5 qershorit. Bardhi ka renditur vetëm dy nene.
Po Ilir Meta?
Presidenti i Republikës radhiti sot 15 arsye se pse Kuvendi aktual nuk ka legjitimitetin e duhur dhe të plotë për ndryshime kushtetuese. Shpjegoi po me argumente juridike se pse iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës është në vetvete antikushtetuese, dhe pse ndalimi i koalicioneve është gjithashtu i tillë.
Qëndrimi i tij mori reagimin me të njëjtën gjuhë të Ramës. Sa ligjor aq edhe politik: “Se listat do hapen nga Kuvendi me ligj, me zakon e me karton”
Paralelisht me Metën, nga PD-ja nuk foli Basha. Gazmend Bardhi sërish. Me një qëndrim thuajse të një ditë më parë. Me të vetmen ndryshim. Por jo paralajmërues, si Meta.
“Se hapja e diskutimit për çështje, që nuk janë pjesë e marrëveshjes e detyron PS që ta shtrojë si çështje në Këshillin Politik”…Kthim mbrapa?!
Ditët në vijim do të tregojnë nëse do të kemi një radikalizim të Metës dhe zbutje të Bashës, apo opozita do të jetë e unifikuar në kundërshtim të ndryshimeve kushtetuese.
h.e/Argumentum