Shumë armë që Rusia ka përdorur në Ukrainë mund të bartin bomba bërthamore. Cili do të ishte ndikimi, nëse Rusia do t’i shfrytëzonte ato?
Më 29 mars, një raketë ruse e lëshuar nga deti goditi një ndërtesë qeveritare në Mykolaiv, duke vrarë të paktën 35 njerëz.
Raketa e përdorur, “Kalibr”, mund të mbajë edhe mbushje bërthamore.
Shumë prej raketave që Rusia ka përdorur në Ukrainë, mund të përdoren për sulme bërthamore, duke përfshirë raketën balistike me rreze të shkurtër veprimi “Iskander”.
Në gusht Rusia goditi me raketë “Iskander” qendrën hekurudhore të Ukrainës në qytetin Çaplyne, ndërsa me raketën “Kh-22” shkatërroi një qendër tregtare në Kremençuk në qershor.
Por ekspertët thonë se nuk e dinë fuqinë e bombave bërthamore që këto raketa mund të mbajnë.
Bomba e hedhur në Hiroshima shkaktoi një shpërthim të barabartë me 15 mijë tonë lëndë shpërthyese TNT, ose me një fuqi prej 15 kilotonësh.
Armët që mund të shfrytëzohen në Ukrainë mund të variojnë nga më pak se një kiloton në disa qindra kilotonë.
Sipas faqes së internetit “Nukemap”, e krijuar nga historiani Alex Wellerstein, nëse një raketë “Kalibr”, si ajo që goditi ndërtesën qeveritare në Mykolaiv do të ishte e pajisur me një bombë bërthamore me kapacitet 1 kiloton, do të shkaktonte vdekjen e mbi 18 mijë njerëzve.
Rreth 700 metra nga vendi i sulmit, pothuajse të gjitha, përveç ndërtimeve më të forta prej betoni, do të ishin shkatërruar.
500 metra larg vendit të shpërthimit të gjithë do të pësonin djegie të shkallës së tretë.
Shkalla fatale e rrezatimit do të shtrihej në 780 metra. Shumica e njerëzve në këtë perimetër do të vdisnin brenda një muaji.
15 për qindëshi tjetër do të vdisnin më vonë nga kanceri.
Kjo duke supozuar se bomba bërthamore do të shpërthente mbi tokë, duke shkaktuar dëm të madh, në një zonë më të gjerë.
Ndërsa një shpërthim nën sipërfaqen e tokës, shkakton pasoja më të rënda, në një hapësirë më të vogël.
Shpërthimi do të shkatërronte ndërtesa banimi deri në 460 metra larg, krahasur me 700 metra të një shpërthimi mbi tokë.
Por brenda 220 metrash, gjithçka do të shkatërrohej, duke përfshirë godinat prej betoni.
Një goditje mbi tokë shkakton shkallë shumë më të madhe rrezatimi, pasi ai përhapet nga era.
Shkalla e efekteve varet nga era dhe shiu.
Ky do të ishte skenari me një bombë bërthamore relativisht të vogël, prej 1 kilotoni.
Nëse raketa “Kalibr” do të pajisej me një bombë 10 kilotonëshe, numri i vdekjeve nga një shpërthim mbi tokë do të rritej në mbi 53 mijë njerëz.
Shkalla e lartë dhe fatale e rrezatimit do të shtrihej deri në një kilometër nga shpërthimi.
Një kilometër e gjysmë larg ndërtesat do të shembeshin, ndërsa njerëzit do të pësonin djegie të shkallës së tretë.
Dritaret do të thyheshin deri në 4.25 kilometra larg.
Ekspertët thonë se raketa “Kh-22”, që goditi qendrën tregtare në Kremençuk, mund të bartë një bombë prej 350 kilotonësh.
Nëse kjo do të ndodhte në qershor, do të shkaktonte vdekjen e afër 100 mijë njerëzve.
Ndërtesat do të shkatërroheshin deri në 5 kilometra larg vendit të shpërthimit.
Në një distancë prej 7 kilometrash njerëzit do të pësonin djegie të shkallës së tretë.
Në varësi të erërave, në rast të një shpërthimi mbi tokë, pasojat e rrezatimit mund të ndihen edhe në Rusi./VOA