Ambasadori Christopher R. Hill mendon se në çështjet midis Kosovës dhe Serbisë, ka ardhur ora e Europës. Në Universitetin e Denverit, Hill përgatit brezin e ardhshëm të diplomatëve amerikanë.
Deutsche Welle: Ambasador Hill, që nga vera e kaluar kemi dëgjuar mënyrë të re të foluri për Kosovën, sipas së cilës: “jemi duke folur gjatë gjithë kohës për Kosovën, u lodhëm, kemi prioritete të tjera, dhe duhet të gjejmë zgjidhjen përfundimtare”. A jeni ju dakord me këtë?
Christopher R. Hill: Unë mendoj se Kosova ka qenë një çështje historike me të cilën ne u morrëm më në fund në vitet 1998/99. Dukej sikur ishte një problem që do të zgjidhej ditën tjetër. Unë nuk besoj se u kuptua historia që çonte tek problemi i Kosovës. Të jeni e sigurt, se nëse flisni tani në SHBA me politikbërësit, do të kuptoni se janë duke u marrë me çështje si Korea e Veriut, Irani, Venezuela. Kosova nuk është në krye të çështjeve me të cilat merren. ata Por, unë mendoj se Kosova mbetet një çështje që e bën Europën të mos jetë krejtësisht e lirë dhe në paqe. Prandaj është e domosdoshme të vazhdohet angazhimi për të normalizuar marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët dhe për të siguruar. që marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë të jenë të tilla, që tu lejojnë të dy vendeve që të ecin përpara.
Deutsche Welle: Në këtë ecje përpara bën pjesë edhe kjo “zgjidhje përfundimtare”, sipas të cilës ” jugu i Serbisë t’ i bashkohet Kosovës, që veriu i Kosovës t’ i bashkohet Serbisë dhe që Kosova dhe Serbia të bëjnë një Shqipëri të Madhe”. Çfarë zgjidhje përfundimtare është kjo?
Christopher R. Hill: Kur flitet për territore flitet gjithnjë për emocione të thella. Po ashtu flitet për precedentë në zona të tjera. Unë mendoj se këmbimi i territoreve është një gjë që duhet bërë kur nuk ke zgjidhje tjetër. Siç e kam kuptuar unë këtë koncept, është që Veriu i Mitrovicës është diçka që mund të balanconohet me Luginën e Preshevës. Por unë do t’i lija çështjet territoriale si elemente të fundit të çdo marrëveshjeje. Unë do ta lija mënjanë zgjidhjen me territore dhe do të merresha fillimisht me të gjitha problemet e tjera, që ekzistojnë midis Serbisë dhe Kosovës. Nëse këmbimi territorial është një gjë për të cilën bied dakord të gjitha palët, atëherë ai duhet të përfshijë Akordet e Helsinkit të vitit 1975, të OSBE, sigurisht që mund të bëhet një përzierje. Por, unë mendoj se në këto momente çështja territoriale midis Mitrovicës dhe Luginës së Preshevës duhet parë më shumë si simptomë e problemeve më të thella, që ekzistojnë midis Serbisë dhe Kosovës. Megjithëse kemi parasysh OSBE, megjithëse flitet për këmbime territoriale, unë nuk do merresha me këtë çështje dhe nuk do e konsideroja këtë zgjidhje si fundin real të zgjidhjes së problemeve.
Deutsche Welle: Si ndikojnë marrëdhëniet SHBA- Europë në zgjidhjen e çështjeve të tilla në Ballkanin Perëndimor?
Christopher R. Hill: Që nga janari 2017 ne kemi një administratë që i ndjek çështjet europiane duke patur qasje unilaterale. Unë jam shumë i shqetësuar që administrata e Trumpit ia ka lejuar këtë vetes, dhe në këtë lloj unilateralizmi është bërë e parëndësishme në çështje, që unë mendoj se janë të rëndësishme për SHBA. Kjo përfshin probleme si ato që kanë mbetur në Ballkan. Unë shpresoj që ministri Pompeo ta kuptojë më mirë këtë çështje se sa manaxheri i naftës në Teksas, Rex Tillerson. Por sidoqoftë, kjo gjë po merr më shumë kohë se sa duhet. Kjo është një nga arsyet pse Europa duhet ta kuptojë, se kjo është ora e Europës, dhe Europa duhet të merret me këtë çështje kuptuar se në këto momente vendi që duhet të zinte SHBA, ka mbetur bosh.
Deutsche Welle: Kur flitet për konfliktin Kosovë- Serbi, disa njerëz kanë filluar të përmendin fetë e ndryshme të këtyre dy vendeve. Si duhet parë feja në këtë kontekst?
Christopher R. Hill: Ne kemi shumë probleme jo vetëm me nacionalizmin në rritje por edhe me rritjen e konfensionalizmit, gjë që është shumë e dukshme në Lindjen e Mesme. Por jo vetëm atje. Kur institucionet janë të dobta dhe qëndrojnë të tilla për vite me radhë, nganjëherë institucionet civile dobësohen me qëllim, nganjëherë dobësohen prej neglizhencës, nganjëherë sepse njerëzit kanë prioritete të tjera… Por kur institucionet janë të dobta, ne shohim që njerëzit kërkojnë strehim tek llojet e vjetra të besnikërisë, tek organizata që në kushte të caktuara përfshijnë edhe fenë. Unë mendoj se në histori kjo nuk është e pazakontë, ka ndodhur në të kaluarën. Por ne nuk duhet ta pranojmë si të dhënë një herë e përgjithmonë në histori. Ne duhet të merremi me të. Unë nuk mendoj se sjell dobi, që njerëzit në vendet kristiane të akuzojnë Kosovën si vend mysliman, që nuk ndan me to vlerat kristiane. Unë nuk besoj se kjo është një qasje që ndihmon për problemin. Unë shpresoj që të arrihet të kuptohet se shanci real nuk është të bëhen akuza për bazën fetare, por të rindërtohen institucionet laike. Ne duhet të krijojmë institucionet laike dhe ta shohim Kosovën si shtet dhe jo si kulturë fetare. Unë kam kaluar shumë kohë në Kosovë dhe Shqipëri dhe feja nuk është ajo, që i vë në lëvizje njerëzit në këto vende. Njerëzit duhet ta vrasin mendjen dhe ta gjejnë çfarë është ajo që vë në lëvizje njerëzit atje.
Christopher R. Hill, në prezantimin e librit të rij “Outpost”, 2016
Deutsche Welle: Synimi për Kosovën është të hyjë në NATO dhe për Serbinë të hyjë në BE. Si mund të shkohet deri aty?
Christopher R. Hill: Ne kemi probleme që lidhjen me qasjen transatlantike në administratën e Trumpit. Megjithatë në Europë duhet parë se shumë amerikanë mendojnë se NATO është baza fundamentale e aleancës SHBA dhe Europë. Ne duhet të punojmë më shumë me NATO-n. Çështjet e Bashkimit Europian janë çështje të BE, por unë mendoj se disa vende si ato të Ballkanit, që aspirojnë të hyjnë në BE, duan të futen në BE dhe jo në burokraci. Në njëfarë mënyre BE përfaqëson një burokraci gjigande dhe vendet e vogla nuk ndiejnë të dëgjohet zëri i tyre atje. Unë nuk do u tregoj europianëve si të organizojnë BE, por mendoj se Europa duhet ta shohë se çdo vend që dëshiron të hyjë në BE duhet të lejohet të hyjë. E njëjta gjë edhe për NATO-n. Po të hedhim vështrimin dallojmë se është bërë progres, por po ashtu duhet të jemi të ndërgjegjshëm se vendimi i BE për të ulur ritmin e zgjerimit ka qenë fustrues për shumë vende, dhe ka vende që madje thonë se as që duan të hyjnë në BE. Unë mendoj se Bashkimi Europian ka qenë gjëja më e mirë që mund t’ i ndodhte Europës në shekuj. Njerëzit duhet të jenë krenar për BE, dhe të vazhdojnë ta mbajnë si denstinacion për vendet si Serbia dhe Kosova.
Deutsche Welle: Ambasador Hill, ju keni qenë i dërguar special për Kosovën dhe keni punuar shumë vite në Ballkan. Cili është mendimi juaj personal për Kosovën? Ne e dimë se gjatë administratës së Obamës, ekzistonte mendimi se vendeve të Ballkanit iu duhet dhënë kohë. A ka qenë koha e dhënë e dobishme?
Christopher R. Hill: Koha është një gjë e mirë nëse e shfrytëzon. Koha që iu dha vendeve të Ballkanit ishte për tu bërë më të kualifikuar për tu pranuar në BE dhe në NATO. Në njëfarë mënyre administrata e Obamës humbi kohë kot. Tani, administrata e Trumpit jo vetëm që po humbet kohë, por është krejt e painteresuar për disa nga këto çështje. Ne ndodhemi këtu ku ndodhemi tani, dhe duhet të shohim si të ecim përpara. Mendimi im është se Kosova do bënte gjënë më të mirë për njerëzit e saj, nëse bashkëpunon në rajon, krijon marrëdhënie të mira me fqinjët dhe kualifikohet si vend për tu pranuar në BE. Mua më vjen shumë keq që në vitin 2019, ka ende 5 vende europiane që nuk e njohin Kosovën. E di psenë, sepse secili nga këto vende ka Kosovën e vet. Jo vetëm Spanja, por ka edhe vende të tjera që kanë situata të ngjashme me Kosovën. Unë nuk e kuptoj si ka ndodhur kjo. Unë do të doja të shihja një Kosovë që doli e pavarur, si shtet i pavarur sepse njerëzit e saj donin të ishin të pavarur, por një shtet i pavarur duhet të pranohet nga fqinjët dhe nga e gjithë Europa. Ka shumë punë për tu bërë. Le të përmendim çështjen e Maqedonisë, për shumë njerëz ishte një çështje që dukej sikur nuk mund të zgjidhej, por u zgjidh. Kjo është shumë pozitive. Shumë gjëra që maqedonasit ishin të detyruar të pranonin, si përshembull vendosja e prefiksit në emrin zyrtar, ishte për shumë njerëz një gjë e vështirë. Por ne duhet t’i shohim këto gjëra me inspiracion dhe me devocion. Kolegë të mi janë vrarë në Ballkan. Ne duhet të marrim nga devotshmëria e këtyre njerëzve dhe ta zgjidhim këtë çështje. Në Universitetin e Denverit, ne i dedikohemi këtyre çështjeve, për të siguruar që amerikanët, jo vetëm ata që jetojnë në Uashington, të kuptojnë përgjegjësinë që kemi në botë dhe të kuptojnë që në botë nuk mund të ekzistosh i vetëm. Ne na duhen miq dhe aleatë.
Intervistën e zhvilloi Aida Cama/dw