Stuhia “Ciaran” që ka goditur Italinë, Francën dhe gjithë Europën do të vijë dhe në Shqipëri. Duke filluar që nga mesdita e së premtes, vendi ynë do të përballet me reshje të shumta shiu.
“Pjesa më e madhe do të ketë reshje ne formë shtrëngatash. Me intensitet në pjesën më të madhe të veriut dhe qendrën. Sonte gjatë natës dhe dita e shtunë do të jetë situata më e përkeqësuar. Nesër do të ketë alarm të kuq,” – u shpreh meteorologia Ladja Porja.
“Qarqet problematike do të jenë Shkodra, Kruja, Tirana, Elbasani, Korça. Do të kenë probleme nga reshjet intensive deri në mesin e javës tjetër që do kemi një situatë më të përmirësuar,” – tregoi Porja.
Rënie të ndjeshme do të ketë dhe sa i takon temperaturave.
“Termometri do të regjistrojë jo më shumë se 20 gradë. Do të ketë një rritje të lehtë e diela dhe rritje gjatë javës. Por mund të them që pjesa tjetër e muajt nëntor do të jetë shumë i lagësht sa i përket reshjeve dhe një tjetër stuhi do të godasë vendin,” – u shpreh meteorologia.
Reshjet pritet të jenë përtej normave, shoqëruar dhe më një shpejtësi të erës. Meteorologët listojnë qytetet që do të jenë më problematike.
Kujtojme se për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të plotë, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve në rast nevoje për ndihmë, dhe për të menaxhuar trafikun rrugor.
Në një njoftim për mediet, Policia apeloi drejtuesit e mjeteve të moderojnë shpejtësinë e lëvizjes dhe të ruajnë distancën e sigurisë. Policia po ashtu u bën u bën apel qytetarëve, “që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë”.
“Për çdo rast nevoje për ndihmë, drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët të telefonojnë numrin pa pagesë 112”, njofton Policia.
Zonat me risk më të lartë të evidentuara nga Policia janë:
– Lezhë, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse;
– Fushë-Krujë, rrugët në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane;
– Tiranë, rrugët urbane dhe ato interurbane;
– Durrës, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse me Tiranën dhe me pjesën tjetër jugore;
– Elbasan, rrugët në zonën urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.