Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën apel subjekteve që tregtojnë fruta-perime, të respektojnë në mënyrë rigoroze zbatimin dhe forcimin e masave për ndalimin e përhapjes së Koronavirusit.
Sipas AKU-së të gjithë subjektet që tregtojnë fruta-perime të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme këto masa: Të gjitha produktet fruta-perime duhet të jenë të mbuluara me qese plasmasi të tejdukshme në mënyrë që të shmanget kontakti me spërklat e mundshme gjatë të folurës apo tështitjes së personave; Të gjithë shitësit por edhe konsumatorët të shmangin prekjen e drejtpërdrejtë me dorë të produktit. Zgjedhja dhe blerja e tyre do të bëhet vetëm nëpërmjet dorashkave njëpërdorimshe ose qeseve që shërbejnë për mbajtjen e produktit.
AKU është shprehur se këto masa vijnë si rrjedhojë dhe nevojë e forcimit të mëtejshëm të masave të mëparshme të ndërmarra, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë konsumatorëve.