Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përgëzuar sakrificën dhe punën e palodhur të bluzave të bardha të Spitalit Infektiv, i cili tashmë është kthyer në karantinë të plotë. Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, lideri i opozitës i cilëson mjekët si “heronj të vertetë”.
Ai shton se të gjithë qytetarët i kanë sytë dhe zemrat me mjekët, të cilët natyrisht janë vija e parë e përballjes me pacientët e infektuar me COVID-19.
“Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë kudo në Shqipëri dhe personeli i Spitalit Infektiv në Tiranë! Jeni heronjtë tanë! Mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ju! Zoti ju dhëntë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë sfidë që kemi përpara! Në këto kohë ju nuk jeni vetëm prindër, bashkëshortë, bijë e bija, motra dhe vëllezër të familjarëve tuaj, por të të gjithëve ne bashkëqytetarëve tuaj”, shkruan Basha.
Lideri demokrat garanton mjekët se asnjë shqitar nuk i sheh në mënyrë të çuditshme, por përkundrazi shton Basha, puna dhe përkushtimi i tyre ka respektin e të gjithëve pa asnjë përjashtim.
“Mirënjohje të thellë kombëtare për secilin prej jush! Askush nuk ju sheh çuditshëm, e gjithë Shqipëria ju sheh me admirim për punën dhe përkushtimin tuaj!
Zoti ju bekoftë ju dhe të afërmit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shkroi Basha në “Facebook”.