Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se 259 persona të dyshuar janë testuar gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilëve kanë rezultuar 17 raste të reja me COVID-19
Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e personave të infektuar nga pandemia globale COVID-19. Me anë të një deklarate për mediat, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se në 24 orët e fundit janë shënuar 17 raste të reja, ndërsa numri total i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 433.
Që nga fillimi i pandemisë dhe deri ditën e sotme, autoritetet shëndetësore shqiptare kanë kryer në total 3644 teste për raste të dyshuara, prej të cilave, kanë rezultuar pozitivë 433 persona në disa qytetet të Shqipërisë.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 259 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3644 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 433 raste”, tha Rakacolli.
Fatmirësisht deri tani nuk raportohet për vdekje të reja për shkak të COVID-19, ndërkohë në orët e fundit 15 qytetarët janë shëruar nga coronavirus duke e çuar numrin e të shëruarve në 197.
“Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 197. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 53 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 pacientë janë të intubuar”, shtoi Rakacolli.
Në dy spitalet COVID në Shqipëri aktualisht po marrin mjekim 60 pacientë të infektuar nga coronavirus. Harta e të prekurve është zgjerua në Tiranë, Shkodër, Pukë,Lushnje, Krujë dhe Durrës.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, prej tyre 4 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 60 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 10 raste, Shkodër 3 raste, Pukë 1 rast, Lushnje 1 rast, Krujë 1 rast dhe Durrës 1 rast”, shtoi zëvendësministrja e Shëndetësisë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive
– Tiranë 209 raste
– Durrës 39 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 15 raste
– Fier 32 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 17 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 52 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 rast
– Has 12 raste
– Krujë 6 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 3 raste
Zonja Rakacolli apeloi te qytetarët që në rast se kanë shenja apo simptoma të COVID-19 të telefonojnë në numrat 127 dhe në numrin e gjelbër 0800 40 40.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, shtoi ajo.