Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Marjana DODA
Pas shembjes së murit të Berlinit, rënies së komunizmit, bota ka qenë gjithnjë e më afër në aspektin politik ekonomik e kulturor. Aq më tepër në dekaden e fundit, ku teknologjia ka njohur kulmin e saj, ishte e pashmangshme që një ngjarje që ndodhte në një cep të botës, të mos reflektohej edhe në vendin tonë, sikundër në çdo vend tjetër. Përveç krizave ekonomike që preken mbarë botën, në 2001 dhe në 2008 si pasoje e globalizimit ekonomik, po ashtu dhe lufta me terrorizmin, ISIS që dukej me shumë si një luftë e Perendimit, shumë shpejt zuri rrënjë në mes të Europës, duke treguar edhe një herë se bota nuk ishte më e ndarë. Të qënurit global bëri që secili shtet të ballafaqohej me kosto në rast të disfatave dhe në rastin më të mirë të bëhej pjesë e “shpërblimit.”
Kjo ishte deri dje, më saktë deri në në fund të muajit dhjetor 2019, ku bota do të dëgjonte për ekzistencen e një virusi, covid-19. Wuhan shpejt u bë kryefjala e botës për shkak të shpërthimit te një virusi të panjohur, i cili shkakton Sindromë të Rëndë Respiratore Akute.
Qeveria kineze mori masa të jashtëzakonshme për të frenuar epideminë. Shpejtësia e Kinës në identifikimin, izolimin, zbulimin e renditjes gjenetike të virusit dhe në ndarjen e këtyre informacioneve me OBSH-në ishte në kohë reale . Spitalet që u ndërtuan masivisht brenda një jave i “përkthyem” në propagandë komuniste dhe nuk morëm masa qysh në krye të herës dhe sot gjendemi të gjithë në panik social/ekonomik.
Racizmi e ksenofobia, kundrejt kinezëve kryesisht, por edhe çdo personi që është i infektuar ishte në nivele shqetesuese. Ne Londër, Itali dhe në vende të tjera u raportua për dhunim të qytetareve kinez, si fajtor për coronavirus. Po ashtu edhe në vendin tonë, pati raste sporadike ku disa të rinj të papërgjegjshëm sulmuan verbalisht të rinjtë kinez . Sigurisht këto raste u dënuan masivisht nga e gjithë shoqëria por dhe politika. Duke theksuar se është koha për solidaritet . Solidaritet që mungoi në fakt, pasi deri dje, ky ishte” virus i kinezve”, ishte problem në kontinentin aziatik, duke harruar kështu se ne jemi qytetarë global dhe si të tillë shumë shpejt koronavirusin do ta kishim midis nesh.
Menjeherë e hoqëm “petkun e globalizimit “dhe menduam si shoqëri individuale. Madje nuk mësuam as nga masat drastike që qeveria kineze ndërmori për izolimin e këtij virusi .
Sot jemi zyrtarisht në një pandemi globale, siç njoftoi dhe OBSH-ja. Jeta sociale, ekonomike e politike është paralizuar. Jemi në gjendje të ngrirë. Tashmë 141 vende e territore rezultojnë të prekur.
Kombi më i goditur pas Kinës vazhdon të jetë Italia me 2150 viktima , numër që po rritet çdo orë. Tashme italia sikundër u shpreh dhe OBSH-ja është kthyer në epiqendër të pandemisë . Fakti që jemi fqinjë me Italinë na zgjoi pak nga gjumi duke kuptuar se ne nuk jemi imune ndaj këtij virusi. Dhe po, Kina qenka më afer se sa u mendua në fillim.
Perdja e globalizimit ka rënë tashmë . Italia është e gjunjëzuar, me numrin më të madh të viktimave dhe të infektuareve në Europe, që fatkeqësisht po pësojnë rritje dramatike çdo ditë. Por ajo çfarë e bën me tragjike gjithë këtë situate është fakti se Italia është vetem. Po, është vetem pasi nuk ka ende një koordinim ndërmjet shteteve qoftë të familjes europiane por dhe të shteteve të tjera .
Nuk është justifikim fakti se tashmë shumica e këtyre e shteteve janë të prekur nga covid-19, se sa nga fakti që të gjitha po mendojnë në mënyrë individuale duke mbrojtur kufijtë e tyre. Ku janë institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, ku janë globalistët?
Vetem Kina, e cila duket se e ka fituar këtë beteje me korovirusin dërgoi një ekip me infermierë dhe mjekë ne itali dhe zbarkoi mbi 30 ton pajisje mjekësorë, ku përfshihen pajisje respiratore si dhe maska, për të cilat Italia ka tepër nevojë.
Por çfarë po bën pjesa tjetër e globit? Janë vetëizoluar .
Si rrallëhere, në vend që sot të ishim më të bashkuar se kurrë, secili shtet ka zgjedhur shtetrrethimin, izolimin nga pjesa tjetër e botës.Por asnjë qyetetar në asnjë vend të botës nuk mund të jetë i “perzgjedhuri” dhe imune përballe këtij virusi, sado që të mbyllen kufijtë. Ndaj, një vendim i tillë në vend që të izoloje virusin, do të provokoje një katastrofe ekonomike dhe politike.
Duke filluar nga SHBA-të ,Gjermania, Franca. Zvicra, e shumë shtetet të tjera njëri pas tjetrit janë shtetet që kanë mbyllur kufijtë.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndër masat e para të marra ndaj covid -19, pezulloi fluturimet nga 26 vende të Evropës që janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë Schengen për në Shtetet e Bashkuara, për 30 ditë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në SHBA.
Një lëvizje që solli pakënaqësitë e para nga Bashkimi Evropian, i cili ka reaguar ashpër pas vendimit të marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Sipas BE, vendimi është marrë “në mënyrë të njëanshme” dhe “pa konsultime”. “Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. “Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, thanë ata.
Jo vetem kjo, por Trump përjashtoi nga kjo masë, Britanine e Madhe , duke vijuar fluturimet ndërmjet dy shteteve edhe pse Londra kishte të konfirmuar një numër të konsiderueshëm me të prekur nga koronavirusi. Kjo ndasi ishte e qartë që globalizimi kishte filluar luhatjen e saj të madhe, tashme de facto.
Por a jemi gati ta përballojmë këtë pandemi globalisht?
Sikundër është thënë dhe më parë bota është përballur me epidemi të tjera. Kina ka qenë vend kryesor i shpërthimit të disa pandemive globale, si murtaja e zezë në Verilindjen e Kinës gjatë viteve 1910-1911, që shkaktoi 60 mijë të vdekur, “gripi i Azisë” dhe “gripi i Hong-Kongut” në vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar, si dhe koronaviruset SARS dhe COVID-19 në këtë shekull.
Pas përhapjes së SARS dhe MERS, dy coronaviruse që shpërthyen në fillim të këtij shekulli, interesi për zbulimin e një vaksinë u shua pasi kriza mori fund dhe pavarësisht shqetësimeve se një situatë e tillë mund të përsëritej nuk pati asnjë zhvillim.
Përballë pandemisë, asnjë vend nuk mund të mos marrë përsipër përgjegjësinë dhe të përjashtohet nga virusi, as ndaj këtij virusi as ndaj viruseve të tjera që mund të vijnë . Ndaj duhet më shumë se kurrë një mobilizim global për ta fituar betejen më të rendësishme, betejen e jetës.
Ndërkohë sot shtetet superfuqi të botës përplasen për më shumë ndikim ushtarak. Kujtojmë se Marrëveshja INF një nga marrëveshjet më të rëndësishme të çarmatimit midis SHBA dhe Rusisë u pezullua vitin e kaluar nga SHBA dhe me pas nga Rusia. Të dyja palet akuzonin njëra-tjetrën për shkelje të kësaj marrëveshjeje. Ndërsa analistët, politologët, folën gjatë për rrezikshmërinë që mbarte pezullimi i kësaj marrëveshjeje duke theksuar një përplasje të re drejt Lufte së Tretë Botërore.
Po, jemi në Luftën e Tretë Boterore, jo me arme bërthamore por me “armë biologjike”. Asnjë samit, konference apo marreveshje nuk është bërë nga këto superfuqi botërore kundrejt këtyre viruseve”armëve” të padukshme, te panjohura por që po vrasin në masë dhe po krijojnë një kolaps global ekonomik . Ndërkohë po këto shtete si SHBA, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe,Gjermania, Japonia, Turqia , Italia etj, buxhetin më të madh e rezervojnë për mbrojtjen ushtarake. Eshtë koha të reflektojmë, shumë gjëra duhet të ridimensionohen , pasi përballë “armëve biologjike” edhe armët më të fuqishme bërthamore nuk kanë vlere, ndaj është koha ti japim përparsi shëndetit global, duke e mbrojtur jetën dhe jo duke e luftuar atë.
“Rrethimi i dytë” për Shqipërinë
Covid-19 ka paralizuar jetën në Shqiperi . Në vetëm një javë në Shqiperi janë marrë masa drastike, që nga bllokimi i rrugëve, mbyllja e shkollave dhe çdo insitucioni tjetër, mbyllja e lokale, bareve, dhe gjithçkaje tjetër, deri dhe në ndalimin e qarkullimit të transportit publik e privat, dhe së fundi dhe qarkullimin e këmbësorëve. Shqipëria zyrtarisht është në shtetrrethim.
Ndërkohë janë mbyllur dhe kufijtë tokësore me të gjithë fqinjët tanë. Për ne shqiptarët është pak i frikshëm ky rrethim i dytë, duke konsideruar që për 45 vite ishin në “shtetrrethim” , e sot jemi globalisht të izoluar.
Sa efikase janë këto masa të marra tani?
Përtej rendësisë, seriozitetit dhe shqetësimit që mbart virusi covid-19, ky izolim hermetik në këtë faze është i tepërt. Nese nuk do vdesim nga koronavirusi, do të vdesim nga ankthi, paniku, stresi. Për të mos folur për impaktin ekonomik, ku Shqipëria rrezikon të bjere në” depresion të madh ekonomik”.
Po, është një situatë e jashtëzakonshme dhe të gjithe sëbashku do ta kalojmë këtë…më pas do të ketë shumë kohë për të analizuar, për të propaganduar mbi punën e rezultatet …masat dhe arritjet nga të gjithë. Pas kësaj duhet të ndryshoje e gjithë mendësia jonë, filozofia për jetën. Përparsitë dhe prioritet tona…qofshin këto individuale, shoqërore apo qeveritare.
Jemi përballë një lufte me të panjohuren por nuk mund të fitojme duke u “fshehur” por duke u përballur me këtë fakt duke vijuar normalisht jetën. Duke Jetuar…
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum