Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, i pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë, që mbahet në Paris, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Institutit prestigjoz francez të Blegtorisë për marrëveshjen e re kuadër të bashkëpunimit teknik në fushën e blegtorisë, transferimit të njohurive dhe bashkëpunimit me Qendrën e Trajtimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Korçë.
Çuçi shprehet se, edicioni i 57-të i kësaj ngjarjeje të madhe europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural ka fokus blegtorinë.
“Franca ka ndihmuar prej dekadash në këtë drejtim dhe ka një përvojë të vyer, e cila na nevojitet ende, sidomos tek përmirësimi i racave të të imtave dhe mbarështimi i atyre me prodhimtari të lartë”, – thotë ministri.
Sipas tij, në Shqipëri aktualisht janë implantuar tri raca franceze, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Ndërsa gjatë kësaj vizite, zhvilloi një takim tjetër të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të CIHEAM – Qendra Ndërkombëtare për Studimet e Larta Agronomike, Placido Plaza dhe me Drejtorin e IAMM, Pascal Bergeret, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin në fushën e studimeve, bursave dhe mundësive për përfshirjen e të rinjve të kualifikuar në sektor.“Gjatë këtij viti në Shqipëri përmes Skemës Kombëtare ne do të mbështesim me prioritet blegtorinë nëpërmjet pagesave për tufën bazë të matrikulluar. Synojmë të rrisim konkurrueshmërinë e produkteve blegtorale dhe të ulim kostot e prodhimit të fermave”, – shprehet Çuçi.
© Argumentum.