Vetëm disa ditë më parë, ai u shfaq në një konferencë live duke na bërë me dije sesa njerëz kishte hequr nga puna. Të gjithë që po shihnin kryediplomatin në detyrë ato momente, me “ankth” prisnin të komunikonte ndonjë “hall” të vërtetë të politikës së jashtme të këtij vendi. Por duket se ishte më shumë një “hall” i asaj të brendshme, që mund të zgjidhej fare mirë brenda mureve të dikasterit të Jashtëm.
Teksa sot, e pamë sërish të dilte në një konferencë live, duke marrë përsipër të na komentojë raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit që e cilësonte Shqipërinë si një vend tranzit për drogën që hyn në Europë.
Një dalje publike, mesa duket edhe kjo e gabuar teksa ai e zbërtheu sipas mënyrës së tij këtë raport, duke mos mohuar se ai është realist për Shqipërinë, por sipas tij inkurajues për reformat që qeveria ka ndërmarrë.
Si të mos ishte fare përgjegjësi edhe e politikës së jashtme të këtij vendi ajo që lëviz nëpër territorin e tij dhe transportohet jashtë, duke u kthyer në një “njollë të zezë” për vendin, edhe këtë herë kryediplomati në detyrë zgjodhi të fladë në parim, me terma pro qeverisë, sesa duke marrë mbi vete atë që i takonte.
“Raporti është një pasqyrë realiste për Shqipërinë, inkurajues për reformat që po ndodhin çdo ditë në Shqipëri. Nënvizon bashkëpunimin e qëndrueshëm midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Thekson faktin se Shqipëria ka arritur rezultate thelbësore ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të drogave me qëllim anëtarësimin në BE, pra s’ka ngadalësim, por përparim.
Raporti afirmon se përkundër sfidave e vështirësive të shumta. Raporti duhet lexuar qartë dhe pa komplekse ashtu siç është. Cilësohemi si vend burimi për kanabisin dhe vend tranzit për kokainë dhe heroinë, të udhëhequr nga grupe kriminale. Sasia e drogës së kapur gjatë vitit 2018 është domethënëse dhe vjen si një përpjekje për integrimin”, tha Cakaj.
Ndër të tjera, kryediplomati shtoi se është e ditur tashmë që në vend ka korrupsion, ashtu siç njihet situata e krijuar me drogën, por sipas tij raporti është më i ashpër me vendet e rajonit sesa me Shqipërinë.
“Shqipëria është vend origjine kanabisi dhe kjo s’është fshehtësi kozmike, por nga ana tjetër po e minimizon këtë fenomen. Thuhet po ashtu se ka rezultate domethënëse në luftë me këtë fenomen. Pra nuk kemi dorëzim institucional para narkotrafikut. Sa për heroinën dhe kokainën nuk kemi të bëjmë me një ndërmarrje kriminale shtetërore. Shqipëria ka pasur rritje të rasteve të kapjes së kokainës që kalon tranzit nëpër Shqipëri. Pra, konfirmim i asaj që thashë, ka rritje të sigurisë ndërkufitare, performancë pozitive për kapjen e drogës.
Shqipëria ushqen një mjedis ku trafikantët veprojnë pa u ndëshkuar, thuhet në raport ndër të tjera. Po e pranojmë që korrupsion ka në Shqipëri, qeveria mban pjesën që i takon. Nuk duhet të dorëzohemi tek akuzat e pabaza. Po të lexohet i njëjti raport për vendet e Rajonit shqetësimet janë më të thella se sa për Shqipërinë”, theksoi gjithashtu ministri i Jashtëm në detyrë.
©argumentum.al