Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të gjitha strukturat janë në kapacitet të plotë për t’u ardhur në ndihmë banorëve nga shtimi i prurjeve në lumin Vjosa.
“Në terren me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje, në zonën e prekur nga dalja e Vjosës prej shtratit të saj, si pasojë e reshjeve intensive”, u shpreh Rama, duke sjellë deklaratën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.
Nga terreni ku monitorohet situata e fryrjes së Vjosës, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, u shpreh se lumi Vjosa në matjet në Memaliaj dhe në Përmet është në nivele drastike. “Aktualisht jemi në nivelet maksimale pranë urës së Mifolit. Shpresojmë të tërhiqet shpejt sipas ciklit që ka, pasi ka tri ditë që ka reshje intensive. Është për t’u vlerësuar shumë investimi që është bërë në të dy krahët e Vjosës, kryesisht qoftë në pjesën e Novoselës apo Darëzezës”, tha Çako.
Po ashtu, Çako shtoi se “kuptohet që ky nivel i përqendrimit të Vjosës mund të krahasohet në 50 vjet të prurjeve që ka përqendruar, por do na shërbejë për të përforcuar investimet e bëra deri tani, por dhe për të hartëzuar zonën e përmbytjeve”.
“Sot kemi qenë edhe gjatë gjithë natës në krye të detyrës me të gjithë njësitë e pushtetit vendor të cilët kanë marrë masat si në qarkun e Fierit dhe të Vlorës. Janë 3 njësi të pushtetit vendor të bashkive, të prefekturave e të drejtorive rajonale që kanë ardhur në mbështetje të Forcave të Armatosura. Policia e Shtetit ka qenë gjatë gjithë ditë-natës. Forcat e Armatosura kanë qenë prezente për evakuimin e banorëve nën pushtetin e ujit dhe janë evakuuar 15 familje në Fier dhe po aq në Vlorë, janë evakuar dhe 2-3 stalla bagëti. Mbetemi në monitorim të plotë. Shpresojmë që së shpejti të bjerë niveli i Vjosës. Japim lajmin e mirë që nga nesër dita do jenë në favorin tonë”, tha ai./ata