Gjykata Themelore e Ferizajt të premten, më 4 gusht, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit.
“Gjykata, të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ i shqipton dënimin me burgim të përjetshëm”, tha gjyqtari Sahit Krasniqi duke e lexuar vendimin, i cili u prit me brohoritje e duartrokitje në sallë.
Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.
Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, tha se familja është “e frustruar” lidhur me dënimin për të akuzuarin e dytë. Ai paralajmëroi ankesë, sepse, siç tha , edhe akuzuari i dytë meriton burgim të përjetshëm.
“Vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatë 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë”,
tha ai.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Gjyqtari Sahit Krasniqi, pas leximit të vendimit tha se Gjykata nuk gjeti rrethana lehtësuese për të akuzuarin Dritan Krivaqan, teksa renditi disa nga masat rënduese për të:
“Si rrethana rënduese, Gjykata mori parasysh shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, rrezikshmërisë shoqërore; intensitetin e lartë të dëmtimit të vlerës së mbrojtur – të drejtën për jetë, e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Veprën penale i pandehuri e ka kryer me paramendim, nga motivi i xhelozisë ndaj anëtarit të ngushtë të familjes, tani të ndjerës Marigona Osmani, me të cilën ka bashkëjetuar”.