Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë të shkurtër për Zërin e Amerikës se ka mësuar që Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e tij të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.
Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.
Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.
Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.