Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se nuk “komenton çështjet e brendshme pse disa vende nuk janë ftuar”, në Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, raporton Zëri i Amerikës (VOA) në gjuhën serbe.
“Presidenti Biden është zotuar të jetë nikoqir i Samitit të Demokracisë për të forcuar angazhimin tonë për pozicionimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në zemër të politikës së jashtme të SHBA-së”, ka thënë një zëdhënës i paidentifikuar i Departamentit të Shtetit.
Kjo ngjarje virtuale është planifikuar të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se pjesë e Samitit do të jenë shtetet me demokraci të zhvilluar apo në zhvillim, shoqëria civile dhe sektori privat – pa specifikuar numrin e saktë të të ftuarve.
“Do të kërkohet angazhim inovativ dhe i fuqishëm për t’u mbrojtur kundër autoritarizmit, për mënyrat e trajtimit dhe luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Samiti për Demokracinë tregon bindjen e thellë të presidentit Biden se demokracitë duhet të bashkohen, të mësojnë së bashku, të mbështesin njëra-tjetrën dhe të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat më urgjente të botës”, është thënë në përgjigje.