Anëtarët e mazhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzojnë kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të patur anëtarë në KZAZ, me argumentet se partitë nuk janë subjekt zgjedhor, dhe nuk janë më parti parlamentare. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se anëtarët e KQZ janë kërcënuar nga mazhoranca për të mos pranuar komisionerë, ndërsa duke iu drejtuar anëtarëve tha se ata po konsumojnë shkelje ligjore dhe rrezikojnë të ndëshkohen.
PD dhe LSI kërkuan të shfrytëzonin atë që e quajtën si të drejtë ligjore nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 2017-ës për të pasur komisionerë në zgjedhjet e 30 qershorit, edhe pse opozita i ka bojkotuar zgjedhjet. Bledar Skënderi, anëtari i KQZ-së deklaroi votën kundër. “Nuk kanë të drejtë ligjore për të çuar komisionerë”, tha ai. Ndërsa referuar atyre që ai i quajti presione nga ana e Ivi Kasos se do të ketë kallëzime penale nëse nuk pranohen komisonerët, ai u shpreh: “Ne kemi vetëm ligj në bindjen tonë dhe do ta zbatojmë atë”.
Edhe anëtarja Rezarta Bitri deklaroi votën kundër: “Është kusht – tha ajo – që partitë të jenë subjekt zgjedhor për të pasur komisionerë”.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe anëtarja Edlira Jorgaqi, e cila tha se nuk mund të përfitojë nga e drejta ligjore një parti që nuk ka asnjë përfaqësues të saj dhe që ka refuzuar publikisht të jetë pjesë e zgjedhjet. “Interesi duhet të jetë i drejtpërdrejtë me subjektin politik”, tha Jorgaqi. Njëjtë edhe anëtari Denar Biba i cili e ka shprehur qëndrimin e tij edhe në mbledhjen e shkuar të KQZ-së. Ndërsa kreu i KQZ, Klement Zguri, u shpreh pro kërkesës së opozitës për të patur komisionerë në KZAZ.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, tha se është e drejtë ligjore për të pasur komisionerë. Ai tha se në procesin e deritanishëm ka shkelje të mëdha ligjore që lidhen me regjistrimin e kandidatëve të tjerë, siç janë të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, që sipas Kasos, po tentohet të krijohet një opozitë fasadë.
Kaso tha se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë kërcënuar për të mos pranuar regjistrimin e komisionerëve. Ndërkohë nga ana tjetër tha se nëse do të ketë ndonjë vendimmarrje kundër pranimit të komisionerëve, atëherë do të përballen me përgjegjësi penale. Anëtari i KQZ-së Denar Biba, tha se ky është një shantazh shumë i rëndë për të ndikuar në mënyrën e votimit, në sajë të kërcënimit. Kaso tha se vetëm sa parashtroi të drejtat ligjore që sipas tij i takojnë PD-së.
“Opozitë fasadë për të zëvendësuar opozitën e vërtetë. Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati”, tha Ivi Kaso.
“Na shantazhove. Ishte shumë e rëndë dhe e ulët. Është hera e parë”, u shpreh Denar Biba.
Përfaqësuesi i PD-së theksoi se ata duan të monitorojnë procesin zgjedhor, për shkak ankesave dhe denoncimeve që ata pretendojnë se ka procesi. Në këtë kontekst, Eridjan Salianji nga PS, kërkoi të di nëse PD do të monitorojë procesin, apo nëse do vërtetë të plotësojë të gjitha detyrimet ligjore që i përkasin komisionerëve. Kaso u shpreh se i duan komisionerët për të parandaluar të gjitha paligjshmëritë që mund të hasen në procesin zgjedhor.