Tekstet shkollore kanë ngjallur sërish debate në Maqedoninë e Veriut. Libri i gjeografisë për vitin e dytë në gjimnaz thotë se shqiptarët kanë filluar të vendosen në Maqedoninë e Veriut në fund të shekullit 18, duke ardhur nga Shqipëria dhe Kosova, në një proces që sipas autorëve vazhdon edhe sot.
Libri i gjeografisë thotë se shqiptarët kanë prejardhje rome dhe turke, ndërsa disa fise që llogariten autoktone në Maqedoninë e Veriut janë në fakt maqedonas të shqiptarizuar gjatë sundimit osman. Këto shtrembërime kanë shkaktuar reagime të ashpra nga opinioni publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Gabime dhe shtrembërime të fakteve historike janë hasur edhe më parë në tekstet shkollore, por komisionet e formuara nga ministrat shqiptarë të arsimit për shqyrtimin e këtyre teksteve nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Ndaj ketij fakti kane reaguar arshper Forumi Rinor i “Aleances per Shqiptaret” duke djegur dhe faqen e librit te gjeografise para Minsitrise se Arsimit.
“Duke pasur parasysh këtë inercion të BDI-së dhe të Qeverive të njëpasnjëshme për t’i ndryshuar këto tekste, kemi vendosur t’i bëjmë dy gjëra. E para meqë kemi respekt për librin nuk do e dëmtojmë librin por elementet fashiste që janë në këtë libër do t’i marrim dhe do t’i djegim duke ua dhënë trajtimin e merituar. E dyta, këtë libër që po e shihni do të jetë dhuratë për ministren e arsimit dhe gjithë kolektivin që ta mësojnë historinë e fiseve shqiptare dhe mos ta degradojnë atë”, tha Omer Ajdini, Forumi Rinor Aleanca për Shqiptarët.
Përderisa aktivistët dorëzuan tek sigurimi i Ministrisë librin “Fiset Shqiptare”, në vendngjarje arriti policia të cilët ishin thirrur nga sigurimi i objektit të ministrisë. Ata thanë se policia kishte marrë të dhënat e tyre si dhe iu kishte thënë se ndaj tyre do të ngriten padi penale.
“Një gjë duhet ta dini, të rinjtë shqiptarë të këtij shteti nuk iu frikësohen më institucioneve që i kanë shantazhuar dhe i kanë frikuar të rinjtë me dekada. Mjaft më, këto libra duhet të hiqen”, pohoi Omer Ajdini, Forumi Rinor Aleanca për Shqiptarët.
Nga Ministria e Arsimit njoftuan se punojnë mbi konceptin e ri, i cili parasheh dhe rregullimin e përmbajtjeve fyese nëpër libra.
Ministria e Arsimit:
“Për momentin punohet në finalizimin e Konceptit për shkollimin fillor, si hap i par në kuadër të reformave nacionale për arsim. Pas miratimit të këtij dokumenti, në faza do t’i qasemi realizimit të përpunimit të përmbajtjeve mësimore. Programet mësimore do t’i shkruajnë ekspertët nga fusha e caktuar”
Për përmbajtjen fyese në librin e Gjeografisë foli edhe kryeministri Zaev. Ai tha se 2021 do të jetë vit i ndryshimeve të përmbajtjeve shkollore, ndërkaq sa i përket tërheqjes së librit nga përdorimi, tha se një gjë e tillë është e pa mundur derisa nuk ekziston një version i ri i tij.