Editorial
Kandidati presidencial i opozitës turke, Kemal Kiliçdaroglu, u zotua se do të dëbonte 10 milionë refugjatë nëse zgjidhej president i Turqisë, në balotazhin e 28 majit.
“Sapo të vij në pushtet, do t’i kthej të gjithë refugjatët në shtëpitë e tyre”, tha Kiliçdaroglu, duke e cilësuar balotazhin si një çështje mbijetese për Turqinë.
“Nëse presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan rizgjidhet, atëherë 10 milionë azilkërkues të tjerë do të mbërrijnë në Turqi”, tha Kiliçdaroglu në një fjalim në Ankara.
Por zotimi i tij se do të dëbonte 10 milionë refugjatë nga Turqia, erdhi si një rrufe në qiell të hapur, një autogol për vetë Kiliçdaroglu vetëm pak ditë para votimit në balotazh.
Në këtë rast si një ”rreze drite” për kundërshtarin Erdogan, i cili për herë të pare nuk arriti shumicën absolute të nevojshme për të fituar në raundin e parë zgjedhjet presidenciale.
Ndaj ky vendim i papritur nga Kiliçdargolu bën që sërish Erdogan të fitojë një tjetër mandat si president i Turqisë. Kujtojmë se Erdogan është vlerësuar nga BE dhe SHBA pikerisht për mbështetjen që ka dhënë duke u bërë stacion i refugjatëve nga Lindja.
Madje herë pas here Europa jo vetëm që e ka ndihmuar finaciarisht mbajtjen e miliona refugjateve siriane, por shpesh edhe ka mbyllur syte përpara veprimeve antidemokratike të Erdogan.
Disa here Erdogan, i ka përdorur refugjatet si një AS nën mëngë përballë Europës pasi e di se Turqia është shpetimi i vetëm i Europës.
Ndaj ky vendim i papritur nga kundërshtari poliitk Erdogan, se do të dëboje miliona refugjatë, pezmatoi zyrtarët e lartë Perëndimor, ndonëse ata hapur e kane mbështetur Kiliçdaroglu si një president i ardhshëm që mund ta rrëzojë Erdogan dhe Turqia të hapë një kapitull të ri.
Kiliçdargolu duket se bëri “vetëvrasje politike”, ndonëse e beri kete për të fituar mbështetjen e popullit turk, ai dukshëm humbi mbështetjen ndërkombëtare.
Ndërsa jemi vetëm një javë nga balatozhi që do të përcaktojë se kush do ta fitoje këtë beteje politike, Erdogan tashmë beri një lëvizje diplomatike tejet të butë për një karakter shpërthyes e drejtpërdrejtë si Erdogan.
Ai nuk shenjestroi me gisht SHBA-të e as nuk akuzoi për tu vetëmbrojtur, ndryshe nga një javë më parë, ku gjatë një takimi elektoral në Stamboll, Erdogan tha se presidenti amerikan po punon për largimin e tij nga pushteti. Biden dha urdhrin për të rrëzuar Erdoganin, unë e di këtë. Të gjithë njerëzit e mi e dinë këtë.
Tashmë vetëm pak dite para balotazhit, Erdogan zgjati dorën e bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë, kushdo që të ishte Presidenti i saj, duke marrë parasysh se pas disa muajsh do të kemi zgjedhje presidenciale në SHBA.
Kështu, në një intervistë për CNN Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, zgjodhi t’i shmangej pyetjes lidhur me një përpjekje të mundshme amerikane për ta larguar nga pushteti. I pyetur nëse beson se Uashingtoni po përpiqet ta rrëzojë atë, ai u përgjigj duke kritikuar presidentin amerikan Joe Biden se e shikon atë si diktator.
Si mund të jetë diktator dikush që shkon në balotazh në vend që të [fitojë] zgjedhjet në raundin e parë? Ky është realiteti.
Erdogan tha se nëse rizgjidhet, ai do të punojë me Biden ose këdo tjetër që merr kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa kritikoi SHBA-në dhe aleatët e saj për qëndrimin e tyre ndaj Rusisë, duke thënë se Perëndimi nuk po merr një “qasje të ekuilibruar” në marrëdhëniet e tij me Rusinë. Ai shtoi se Turqia ka një “marrëdhënie të veçantë” me presidentin rus Vladimir Putin, i cili ndihmoi në zgjatjen e marrëveshjes së grurit. Erdogan tha se politika e jashtme e pavarur e Turqisë mbështetet në lidhjet e ngushta me Moskën. “Rusia dhe Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën në çdo fushë të mundshme”.
Ai theksoi se në rast të një tjetër mandati, asgjë nuk do të ndryshojë në politikën e jashtme dhe e motivoi këtë vendim me rezultatet e arritura deri tani.
Me autogolin që bëri kandidati presidencial i opozitës turke, Kemal Kiliçdaroglu për dëbimin e miliona refugjatëve, dhe me këtë intervistë për CNN të Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan që garanton një vazhdimësi të politikës së jashtme si faktor në Lindjen e Mesme, ndërmjetës në konfliktin Rusi-Ukrainë, etj, përpara një votimi historik presidencial të raundit të dytë duket se diferenca është e qartë. Për sa kohë sa Europa dhe SHBA nuk gjejnë një tjetër zgjidhje për refugjatet e Lindjes së Mesme në Turqi, do duhet të bashkëpunojmë serish me autokratin Erodgan pas 28 majit.
Perëndimi nuk do të rrezikojë që lumenj refugjatësh të derdhen në dyert e Europës, ndaj vendet perëndimore do përgatisin vetën edhe për pesë vite të tjera të Rexhep Tajip Erdogan, ndërsa udhëheqësi turk shkon në balotazhin presidencial si favoriti i jashtëzakonshëm i cili kërkon të zgjasë sundimin e tij mbi 20-vjeçar.
/Argumentum.al