Ministria e Jashtme Ruse ka reaguar një ditë pas lajmit të bërë publik se diplomatit rus Alexey Krivosheev i është lënë një afat prej 72 orësh për t’u larguar nga Shqipëria, pas shpalljes “non grata” pasi nuk respektoi masat ndaj COVID-19.
Vendimi i marrë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nuk është pritur aspak mirë nga Rusia.
“Shqipëria do të pendohet për vendimin për të dëbuar diplomatin rus nga Tirana”, tha Zëvendës Ministri i Jashtëm Aleksandër Grushko për RIA Novosti.
“Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”, komentoi Grushko.
Një nga parimet kryesore në diplomaci është reciprociteti, askush nuk e anuloi atë, tha më tej ai.
Kjo është hera e parë që një diplomat rus përjashtohet këtë vit, shkruan më tej media “RIA”.
Ndërkohë Ambasada ruse në Shqipëri në një pronocim për mediat ruse tha se i konsideron pretendimet e bëra kundër diplomatit rus si të paarsyeshme.
“Ne i konsiderojmë të pabazuara të gjitha akuzat ndaj diplomatit rus të përmendura në këto dokumente. Ne gjithashtu vërejmë se zbulimi në njoftimin për shtyp i emrit të punonjësit tonë kundërshton ashpër praktikën e vendosur ndërkombëtare diplomatike. Ministria e Jashtme ruse është informuar,” tha misioni diplomatik rus.
© Argumentum.