Realpolitik “ Flash” No. 60
17 – 30 DHJETOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1.Degjeneron dialogu dhe diplomacia në marrëdhëniet Prishtinë – Beograd! Tensionet në veri të vendit barrikadat dhe pengimi i lëvizjes së lirë të provokuar nga Beogradi janë bërë alarmuese. Ende pak lëvizje nga SHBA dhe BE-ja, të cilat po korrin frytet e mbështetjes së tyre të çuditshme për Serbinë, dhe tani kur ajo mban hapur anën e Rusisë! Ndaj, krahas qëndrimeve shoviniste serbe, në themel të këtij përshkallëzimi të rrezikshëm që do të na shoqërojë dhe vitin e ardhshëm, edhe kur barrikadat të hiqen, me pasiguri dhe paqartësi të mëdha, kur dialogu do tingëllojë « luks » janë politikat e deritanishme të dështuara amerikane dhe europiane!
Ndërkohë, diplomacia jonë sillet sikur kjo krizë e rrezikshme po ndodh në Burundi dhe jo te vëllezërit tanë. « Ballkani i Hapur » e ka kompromentuar atë rëndë.
2. Deti në vend numëro! Është fjala për Dosjen e Detit Jon edhe pas vizitës » blitz » të Kryeministrit Mitsotakis më 23 Dhjetor në Himarë, Finiq dhe Derviçan, të paraprirë nga Ministri i Jashtëm Dendias në Tiranë. Ndonëse të shpeshtuara, dhe pas këtyre takimeve gjërat po lëvizin fare pak ose aspak, kryesisht me« fjalë të mira por gurë në trastë » Në krye të axhendës dypalëshe mbeten të njëjtat dosje përvëluese. Dhe « i njëjti avaz », madje tani pa Çamërinë, sepse i prish “humorin“ liderëve grekë. Në sirtarët diplomatikë janë ligji i luftës dhe dosja e Detit. Madje Mitsotakis nuk e përmendi por iu referua vetëm të drejtës ndërkombëtare. Një terr i plotë informativ publik.
Kurkush nuk thotë se ku është dosja, tani, 30 muaj pas deklarimit bombastik në Tiranë për Hagën. Shumë pyetje presin përgjigje: kush po bisedon, për çfarë puqemi dhe ku përplasemi, po autorizimi nga Presidenti i Republikës, kur paraardhësi i tij që mendohej si pengesë ka 6 muaj që e ka lënë zyrën? Duket se Joni është « bombë me sahat », ndaj të dyja palët nuk po lenë gur pa lëvizur që të mos plasë. Mirëpo, përse duhet t’u besojmë verbërisht e të dëgjojmë vetëm “muzikën“ qeveritare? Në cilin vend demokratik është parë një mungesë e tillë totale informimi dhe papërgjegjshmërie ? Askund!
3. Zelenski Çurçillian! Kështu e vlerësuan Presidentin ukrainas në Washington më 20 Dhjetor, kur mbajti fjalën historike në Kongresin amerikan. Krahasim me vend, kur mendon se në po atë ditë, 81 vite më parë, emblematiku Winston Çhurçill ngriti në këmbë Kongresin. Të dy vinin direkt nga fronti i luftimeve, nga bunkeri ku ata drejtonin luftën, të dy nën kërcënimin e vazhdueshëm gjerman dhe rus, të dy të vendosur për jetë e vdekje. Të dy karizmatikë dhe në anglisht. Ndërsa Çhurçilli e dha mesazhin e fitores me dy gishtat në formë V, Zelenski dha dhuratë flamurin fitimtar ukrainas me autografë të ushtarëve trima.
Si Çhurçilli dhe Zelenski premtuan solemnisht se do t’i festonin Krishtlindjet, qoftë dhe pa drita e ngrohje, por me prushin e lirisë e të fitores në zemër ! Mbrojtja dhe fitorja e Ukrainës sot është po aq e rëndësishme dhe vendimtare për Perëndimin sa dhe fitorja e Britanisë së Madhe atëhere. Sepse nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e një shteti apo populli, por të vlerave dhe parimeve demokratike, të luftës midis të keqes dhe të mirës.
4. Presidencë brilante!
E tillë vlerësohet Presidenca Çeke e BE-së, megjithë vështirësitë e jashtëzakonshme të situatës pas agresionit rus ndaj Ukrainës më 24 Shkurt dhe krizat e shumta si pasojë e saj. Ajo e mori kryesimin pas Francës, e cila, e ”zhytur” në dy palë zgjedhje nuk bëri kush e di se çfarë.
Veç kësaj, Kryeministri pro-europian çek Petr Fiala kishte vetëm 6 muaj në qeverisje, mbasi fitoi mbi populistin Andrea Babis. Plus, Çekia u godit më rëndë se çdo vend tjetër ish lindor nga COVID – 19, me 35.000 viktima, nga kriza energjitike, etj.
Çekia bashkërendoi punën me Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Europian në procesin e vendimarrjeve madhore në të gjitha fushat. Kështu, mbas 6 paketave të mëparshme, në korrik, tetor dhe dhjetor BE-ja miratoi dhe 3 paketa shtesë me sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë. Po ashtu ajo drejtoi përpjekjet, masat dhe reformat madhore për përballimin e pasojave të rënda nga kriza energjitike dhe ushqimore e shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës deri në zbutjen dhe shmangien shkallë shkallë të vartësisë së madhe energjitike nga Rusia. Ditët e fundit BE-ja miratoi pas shumë debatesh Çmimin Tavan për Gazin, jetik për mbijetesën e shumë vendeve dhe ekonomive.
Gjithashtu, 6 muat e fundit, BE-ja i akordoi Ukrainës ndihma shtesë financiare në shumën 20 miliard Euro dhe ka planifikuar të tjera në të ardhmen.
Një ngjarje më jehonë të madhe dhe si reagim i fuqishëm pas agresionit rus në Ukrainë, ku spikati roli dhe kontributi i madh i Çekisë ishte Samiti inaugurues i Komunitetit Politik Europian ( KPE) në Pragë, më 6 Tetor, me praninë e liderëve nga 44 vende antare, kandidate dhe jo antare të BE-së, përfshirë dhe liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor.
Veç pranimit si “ kandidatë” të Ukrainës dhe Moldavisë, nën kryesinë Çeke BE-ja bëri dhe kthesën historike drejt Ballkanit Perendimor. Liderët e tij ishin në Samitin e Brukselit, Pragës dhe të Tiranës.
Ndërkohë, më 3 Nëntor rifilloi funksionimi i Procesit të Berlinit me Samitin e tij dhe me praninë e 6 liderëve të rajonit, të 10 vendeve antare të BE-së, Presidentëve Von der Leyen dhe Charles Michel.
Samitet, vizitat dhe proceset e lartpërmendura janë shoqëruar me akte, vendime dhe veprime në terren, në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare të problemeve të mbetura pezull me disa hapa të spikatur pozitivë. Më 18 Korrik u çelën negociatat e antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian vendosi t’i japë dhe statusin kandidat në BE Bosnie – Hercegovinës. Ndërsa, më 14 Dhjetor Këshilli i BE-së vendosi vendosi t’i japë statusin kandidat në BE Bosnie – Hercegovinës dhe më në fund liberalizimin e vizave me Kosovën, jo më vonë se 1 janar 2024; gjitashtu kjo e fundit më 15 Dhjetor dorëzoi në Presidencën çeke në Pragë kërkesën zyrtare për antarësimin në BE.
Padyshim që mbyllja më e bukur për Presidencën Çeke ndaj rajonit tonë ishte Samiti me rëndësi të madhe BE – Ballkani Perendimor në Tiranë më 6 Dhjetor, i pari në Rajon; në Tiranë “ zbarkuan” 26 Presidentë dhe Kryeministra të BE-së, Presidentët e Komisionit dhe Këshillit Europian dhe 6 liderët e rajonit tonë me mesazhet tashmë të njohura.
© 2022 Argumentum