Dy ish-komandantët e UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj do të bëhen bashkë përsëri pas 25 vitesh tashmë si lider të dy forcave poliitke në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë arritur një koalicion parazgjedhor dhe e prezantuan marrëveshjen para mediave më 17 Janar.
Kreu i AAK-së ka theksuar se ata janë bashkuar për arsyen se nuk duan t’i lënë qytetarët e Kosovës pa kujdes, pasi sipas tij, ata janë të “luftuar” nga Qeveria.
“…Kemi vlerësuar që qytetari i Kosovës ka mbetur i papërfaqësuar, është lënë vetëm, e në rast të caktuar edhe i luftuar prej atyre që është dashur të përkujdeset për të, e në këtë rast i luftuar nga Qeveria, nga kryeministri Kurti. E ku shihet kjo, së pari mund ta përmend me respekt kategorinë e lirisë, pra që janë luftuar nga kjo qeveri, e mbani mend grevën e arsimit, sindikatës sesi janë trajtuar mësimdhënësit, mund të vazhdojë kështu me radhë për shumë kategori, pra sektorë, por edhe për projekte kapitale të vendit. Sot qytetari ynë e paguan rrymën më së shtrenjti në rajon, e që kjo qeveri ka qenë kundër investimeve në energji”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, ky bashkim do të zgjerohet edhe me partnerë të tjerë politikë.
“Jemi të varfër sepse Qeveria është e pasur”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se koalicioni parazgjedhor me AAK-në është lajm i mirë për politikën në Kosovë dhe gjithë qytetarët.
“Besoj që është lajm i mirë për kosovën politike për qytetarët. Jemi dëshmitar për gjendjen që është vendi ynë. Ka nevojë për bashkim të forcave që kanë cka japin, duan të shohin ndryshe zhvillimin e vendit pozicionin e vendit. Shumë tema që njerëzit e Kosovës duan ti shohin më mirë., Duke shikuar e respektuar zërin e mijëra njerëzve sot më shumë se kurrë ka nevojë bashkimin e energjive pozitive, bashkim në diverzitet bashkim në iniciativa. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një dinamikë të re opozitare, opozitë e angazhuar, ku kritikon ku duhet kritikuar, që na jep alternativë”, ka deklaruar ai
Deklarata Politike AAK-Nisma
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate, krijojnë Rreshtin (Frontin) e përbashkët për Shtetin e Kosovës, në aleancë me gjithë ata që janë kundër degradimit të saj dhe në partneritet me aleatët strategjikë që i patëm pranë në momentet më kritike të historisë sonë!
o Me qëllim që të mos lejojmë rrezikimin e pavarësisë së vitit 2008;
o Me qëllim të mbrojtjes së karakterit unitar të shtetit;
o Me qëllim të arritjes së marrëveshjes me Serbinë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës Kosovës;
o Me qëllim që të ndërpresim degradimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në, që janë garanci e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për tërë Ballkanin Perëndimor;
o Ashtu siç ishim të vendosur për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, sot jemi të vendosur p֝ër anëtarësimin e plotë në NATO;
o Me qëllim që t’i japim fund logjikës së funksionimit kontrollit partiak neokomunist dhe të kthimit të Kosovës në kursin euro-atlantik;
o Me qëllim që t’i japim fund logjikës që nxitë konfliktet e vazhdueshme brenda shoqërisë sonë dhe të promovojmë bashkërenditjen e energjive tona kombëtare e shoqërore në interes të përgjithshëm.
Pajtohemi që Aleanca dhe Nisma, të krijojmë një front të përbashkët politik dhe ftojmë të gjitha partitë politike, nismat qytetare, shoqatat, grupet e ndryshme të interesit, intelektualë të profileve të ndryshme dhe të gjithë ata që janë të bindur në domosdoshmërinë e bashkimit të forcave dhe energjive kombëtare dhe shoqërore që të bashkohen në këtë front për t’i dhënë fund rrezikut që i kanoset shtetit të Kosovës nga kjo qeverisje e keqe, e t’i kthehemi normalitetit, zhvillimit dhe prosperitetit si shtet e si komb.
Vetëm të bashkuar mund ta ndalim të keqen dhe të hapim perspektiva për një jetë të sigurt, të begatshme dhe në harmoni e ku do të respektohet dinjiteti i çdo qytetari të Kosovës.
- Jemi përcaktuar që mashtrimin me shifra fiktive te rritjes ekonomike, ta shndërrojmë ne zhvillim real e rritje dyshifrore ekonomike;
- Ndihmat sociale do t’i shndërrojmë në paga e pensione të dinjitetshme, që nënkupton dyfishimin e tyre;
- Kosova nuk do të jetë më vend me shëndetësi të sëmurë, ku qytetarët e saj, sëmundjen e marrin në vendin e vet, e shërimin e paguajnë jashtë. Nuk do të jetë vend pa sigurime shëndetësore. Është zotim yni, që sistemi shëndetësor të jetë, të paktën si i vendeve të rajonit;
- Arsimi nuk do të jetë kurrë më, i renditur në vendet e fundit të PISA-s, por do t’i nënshtrohet një reforme thelbësore, e cila do të garantojë cilësi;
- Do të ndalet njëherë e përgjithmonë poshtërimi i kategorive të lirisë dhe ata do të trajtohen me dinjitet e me paga të dinjitetshme;
- Do të jetë përkushtim e investim yni i vazhdueshëm që ta ndalim trendin e braktisjes së vendit dhe të largimit të kuadrove që me aq mund i ka krijuar Kosova;
- Nuk do të lejojmë njeri që ta ndajë këtë shoqëri, siç po bën klasa politike në pushtet;
- Do të marrë fund trajtimi armiqësor i komunave që nuk i përkasin partisë në pushtet;
- Ata që nuk e kanë bërë as edhe një hap për lirinë e këtij vendi, nuk mund të na tregojnë se sa e shtrenjtë është liria; por janë të lirë ta gëzojnë lirinë;
- Nga përpjekja për kontrollin absolut të të gjitha pushteteve, ato do të jenë të ndara e të paprekshme;
- Gjyqësori do të trajtohet me dinjitet, e jo me sulme të hapura të qeverisë ndaj tij;
- Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jenë ndër kategoritë më të vlerësuara dhe më të paguara, e nuk do ndodhë asnjëherë që njësitë elite të policisë të protestojnë para qeverisë;
- Me në fund do të ndërpritet diktati i pushtetit mbi shoqërinë civile, mediat, institucionet e pavarura, mësimdhënësit, mjekët e infermierët, policinë, prokurorinë e deri te Gjykata Kushtetuese;
- Në këtë vend do të marrin fund sulmet e “brigadave të paguara” të rrjeteve sociale ndaj njerëzve të ndershëm dhe secili do të përgjigjet për fjalën e vet;
- Do të ndalen mashtrimet me dialogun Kosovë-Serbi. “Jo e pranova jo se pranova…”
Marrëveshja me Serbinë, vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe me garanci të SHBA dhe BE;
- Talljet më shtetet mike, që kanë ndihmuar lirinë tonë e që edhe sot janë garant të saj, do kthehen në partneritet e në miqësi pa hile;
- Nuk do të ketë forcë që mund ta devijojë rrugën e Kosovës në kursin e saj euro-atlantik, me marrëdhënie të posaçme me Amerikën. Kosova në NATO, në BE dhe OKB, nuk është vetëm orientim politik, por edhe popullor i këtij vendi;
- Sanksionet e BE-se ndaj Kosovës, do të largohen bashkë me këtë qeveri. Sot është koha që njerëzit të mendojnë lirshëm dhe të çlirohen nga mashtrimi hipnotizues i Albin Kurtit dhe më në fund të jenë të lirë.
Jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është punë e lehtë. Prandaj jemi përcaktuar që ta krijojmë rreshtin e gjithë atyre njerëzve, qytetarëve, grupeve e individëve, burra e gra, në vend e në diasporë, që ta shpëtojmë këtë vend të mos bie në greminë. Ne jemi përcaktuar të punojmë më pasion e pa arrogancë për këtë synim dhe e kërkojmë ndihmën e secilit prej jush.
Na priftë e mbara!
/Argumentum.al