Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” Presidenten e organizatës ndërkombëtare “People to People International”, Mary Jean Eisenhower, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Atlanta të SHBA, Ambasadorin Theodore Roosevelt Britton.
Presidenti Meta u dorëzoi dy personaliteteve të shquara amerikane titullin e lartë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm në promovimin dhe prezantimin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si drejtues të organizatës ndërkombëtare “People to People International”, që është e pranishme edhe në Shqipëri.
“Vlerësoj sot dy njerëz të shquar e të nderuar, një zotëri dhe diplomat të respektuar dhe një zonjë të nderuar, humaniste dhe partnere paqeje, e cila drejton një nga organizatat më të njohura në botë: ‘People to People International’, e themeluar nga gjyshi i saj, Presidenti amerikan Eisenhower, çlirimtari i Europës, i cili udhëhoqi forcat aleate që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore”, tha Meta.
“Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton nuk kanë nevojë për shumë prezantim, pasi ata janë njerëz që gëzojnë respekt të lartë e që nderohen në sferat e jetës ku janë përfshirë dhe angazhuar, veçanërisht si udhëheqës të “People to People International”, me prani edhe në vendin tonë”, u shpreh presidenti Meta.