Një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme, i kryesuar nga kryetarja Mimi Kodheli dhe anëtarët Blendi Klosi, Etjen Xhafaj dhe Hatixhe Konomi, zhvilloi një vizitë pune në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Delegacioni u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo u konfirmua edhe gjatë takimit me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.
Xhaferi bëri një pasqyrim të situatës politike në Maqedoninë e Veriut duke u ndalur kryesisht në çështjen e ndryshimeve kushtetuese, bashkëpunimin ekonomik e atë rajonal mes vendeve tona. Delegacioni nga Kuvendi i Shqipërisë uroi Xhaferin edhe për propozimin e tij për të qenë Kryeministër i qeverisë teknike që do të fillojë punën në janar të vitit të ardhshëm.
Komisioni u prit në një takim të veçantë nga komisioni homolog i kryesuar nga Antonijo Milloshoski, me të cilin u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, dialogu rajonal si dhe hapat e ardhshëm në rrugën e BE-së.
Duke folur për rrugën e përbashkët për në BE, bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria mund të jetë në një moment më të vonë por sa i përket karakterit politik të dy vendet kanë ecur në të njëjtin ritëm.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se dita e nesërme do të jetë me rëndësi për të dyja vendet tona pasi me sytë nga Brukseli do të shohim se ç’do të prodhojë takimi i atjeshëm.
Gjatë vizitës në Kuvend, delegacioni u prit edhe nga Grupi i Miqësisë Maqedoni e Veriut-Shqipëri.