Pas ngjarjes së tërmetit rindërtimi i 36 spitaleve dhe qendrave shëndetësore të dëmtuara pritet të përfundojë brenda vitit 2020.
Afati për mbylljen e punimeve në këto ndërtesa parashikohet në Udhëzimin e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë për rimëkëmbjen e sektorit të shëndetësisë dhe social.
“Rindërtimi dhe riparimi i ambienteve shëndetësore do të shoqërohet me standardizim dhe modernizim të pajisjeve, sistemeve të komunikimit dhe mobilimin”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Zhvillimit në rang vendi nga tërmeti u dëmtuan 36 spitale dhe qendra shëndetësore ku 13 prej tyre janë në Tiranë, 9 në Durrës, 6 në Kurbin, 3 në Shijak, 3 në Krujë, 1 në Vorë dhe 1 në Lezhë. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në sektorin e shëndetësisë llogariten 9,6 milionë euro.
Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah jo vetëm mungesën e mjeteve teknike të shtetit, por edhe të sektorit shëndetësor dhe atij social. Problemet në sektorin e shëndetësisë dhe sidomos në atë social, pranohen edhe nga ministria përgjegjëse, e cila rivlerësoi planin e masave për rastet urgjente.
Udhëzimi i shëndetësisë konsideron si të rëndësishme ngritjen e qendrës funksionale të urgjencës shëndetësore për të rritur sistemin e paralajmërimit të hershëm dhe vendosjen e komunikimit në kohë reale me të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.
Në planin social, programi parashikon ofrimin e shërbimeve psikologjike nëpërmjet skuadrave lëvizëse për zonat e prekura.
“Ky shërbim duhet të jetë i koordinuar edhe me sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, ndërsa ekipe të lëvizshme të psikologëve mund të angazhohen për njësitë administrative/bashkitë e prekura ku ata mund të ofrojnë mbështetje gjatë periudhës afatshkurtër, ku gjashtë muajt e parë janë më intensivët”, thuhet në udhëzim.
Programi parashikon që prioritet në ofrimin e këtij shërbimi të jenë fëmijët pa prindër, personat me aftësisë të kufizuar dhe ata me sëmundje kronike, shtresat e margjinalizuara.
“Do t’i kushtohet vëmendje krijimit të një kornize emergjente për mbrojtje sociale, për t’iu përgjigjur nevojave të komuniteteve në nevojë, me plane të qarta afatmesme dhe afatgjata, role dhe përgjegjësi të përcaktuara mirë për secilin prej subjekteve të përfshirë, si dhe protokolle përgjigjeje dhe mekanizma që aplikohen menjëherë pas një emergjence”, përcaktohet në udhëzim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë pas ngjarjes së tërmetit në vend u mobilizuan 274 punonjës socialë dhe psikologë shtesë (gjithsej 534) dhe mbi 300 vullnetarë u angazhuan përmes organizatave të shoqërisë civile.
Programi i rimëkëmbjes:
Shëndetësi
-Rikonstruksioni i aseteve fizike, ndërtimi me cilësi i spitaleve dhe qendrave shëndetësore
-Shembja dhe heqja e rrënojave
-Menaxhimi i strukturave shëndetësore të përkohshme (kapacitetet shtesë të shërbimit për çadrat/hotele)
-Kostot e qirasë për strukturat e përkohshme shëndetësore
-Trajtimi i personave të dëmtuar
-Rehabilitimi i pacientëve me aftësi të kufizuara për shkak të traumës
-Mbulimi i kostove të rritura të transportit me autoambulancë
-Trajtimi dhe kujdesi për numrin e shtuar të pacientëve me probleme të shëndetit mendor dhe/ose psikologjike
-Sigurimi i trajtimit të vazhdueshëm për të sëmurët kronikë të zhvendosur në çadra/hotele.
-Përjashtimi nga tarifat e shërbimit shëndetësor (përfshirë diagnostikimin dhe mjekimin), për pacientët që kanë humbur të ardhurat dhe/ose të zhvendosur
-Ofrimi i shërbimit falas nga institucionet shëndetësore private për të prekurit nga tërmeti
-Kostoja për koordinimin dhe menaxhimin e fatkeqësive
-Kostoja për sistemet e paralajmërimit dhe survejancës ndaj tërmeteve
-Promocioni shëndetësor dhe fushatat e ndërgjegjësimit publik për tëadresuar riskun ndaj shëndetit
-Fushata vaksinimi dhe imunizimi (p.sh., grip
Sektorin social
-Ofrimi i shërbimeve psikologjike përmes skuadrave lëvizëse në zonat e prekura
-Shërbime rehabilituese për personat me aftësi të kufizuara
-Sigurimi i vlerësimit të efekteve dhe të nevojave të komunitetit të prekur