Agroturizmi gjatë viteve të fundit ka sjellë një zhvillim shumë të madh për mjaft zona të largëta dhe të pashfrytëzuara më parë. Kjo edhe në sajë të investimeve të bëra në përmirësimin e infrastrukturës.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë vizitës së saj në Lurë, ndaloi në familjen Tollja, e cila ka rindërtuar kullën e familjes, duke e kthyer në një destinacion turistik në Lurë.
Ministrja vlerësoi iniciativën e kësaj familje, që kanë kthyer këtë kullë në një bujtinë për të pritur turistët vendas e të huaj, duke e transformuar vendndodhjen e largët nga tregu bujqësor, në një vendmbërritje të tregut turistik.
Denaj theksoi se mbështetja e sipërmarrjes në këtë drejtim do të vazhdojë të rritet, dhe vlerat e traditës do të kthehen kësisoj gjithnjë e më shumë në vlera monetare për familjet që i përkushtohen agroturizmit.
“Është një shembull i mirë për ata që jetojnë në qytete të tjera dhe ata që jetojnë jashtë vendit, se mundësitë i kanë që të bëjnë diçka që të mbetet dhe të përfitojnë të ardhura. Me infrastrukturën rrugore do vijnë edhe turistët, që do jenë burim i mirë frymëzimi dhe për të
tjerët”, tha Denaj.
Ndërsa inkurajoi zonjën e shtëpisë, ministrja Denaj tha, se do ketë shumë skema në të ardhmen që ndihmojnë sipërmarrjet e drejtuara nga gratë.