Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një vizite të zhvilluar në qytetin e Vlorës u ndal edhe në disa biznese lokale, që kanë përfituar së fundmi nga lehtësitë fiskale të përjashtimit të TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin.
Elton Spahiu është një prej përfituesve të përjashtimit nga Tatimi mbi Fitimin, i cili falë kësaj mase që ka hyrë në fuqi më datë 1 janar 2021 do të mund të kursejë 400,000 lekë. Kjo lehtësi do të ofrohet nga qeveria për një periudhë prej 8 vitesh.
“Kjo është një masë lehtësuese për ne dhe që do të na ndihmojë të rrisim investimin apo edhe të punësojmë më shumë staf”, u shpeh Spahiu.
Për këtë, ministrja Denaj e rekomandoi Eltonin që t’i drejtohet Agjencisë Rajonale të Punësimit dhe Aftësive, e cila është duke zbatuar disa skema nxitëse për punësimin që i shkojnë në ndihmë bizneseve dhe ku shteti subvencionin një pjesë të mirë të kostove të punës.
“Brenda skemës së nxitjes së punësimit, një element shumë i rëndësishëm është edhe ajo që i adresohet punonjësve që punojnë në të zezë, ku për bizneset, por edhe për individët për 12 muaj paguhet sigurimi i shëndetit dhe sigurimi shoqëror për punëdhënësin dhe për punëmarrësin dhe gjithë kjo kosto për 12 muaj është e subvencionuar nga shteti”, theksoi Denaj.
Gjithashtu, gjatë bisedës ministrja nënvizoi se tashmë ka nisur edhe zbatimi i procesit të Fiskalizimit, por që për bizneset do të nisë në 1 shtator 2021, kohë kjo e mjaftueshme për të nisur përgatitjet dhe për të mos i lenë gjërat në minutën e fundit, duke qenë se periudha përkon edhe me sezonin veror kur fluksi i punës është i lartë.
“Ju keni kohë deri në 1 shtator 2021, por mos t’i lëmë ato punët siç i lëmë zakonisht të gjithë në ditë të fundit, se për vlonjatët dita e fundit është në pikë të sezonit, do jemi në gusht, s’do keni kohë edhe të mendoni si ta ndryshojmë fiskalizimin. Duhet të merrni një certifikatë elektronike, e cila ju shërben për të gjitha shërbimet e administratës publike. Së dyti, është software, i cili në faqen e administratës tatimore janë të licencuara të gjithë kompanitë deri më tani, deri në momentin që ju do aplikoni do të ketë kompani të tjera, do ta zgjidhni ju kush është kompania që ka kosto më të mirë dhe ju pëlqen cilësia. E vetmja ftesë është të mos e shikoni me skepticizëm, nuk është çështja e rritjes së kostove, është përmirësimi dhe digjitalizimi i informacionit, por mos e lini në moment të fundit”, përfundoi Denaj.