Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020.
Sipas një njoftimi së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zoran Vukotiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.
“Në datën 22 maj të vitit 1999, te varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre, i kishin urdhëruar të ulen të tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet- shkop të drurit, fillon t’i rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur, i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqtë i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për t’i pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi te e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marrë me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përplasur të dëmtuarën për dysheme, me forcë ia kishte shqyer rrobat dhe kishte kryer aktin seksual – dhunimin”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dënimin e Vukotiqit e cilësoi si “lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.
“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, tha Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq, sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dënimi i Vukotiqit shënon “një moment kthese dhe shprese”, jo vetëm për viktimën, që ka dëshmuar kundër Vukotiqit, por edhe për të mbijetuarit e tjerë “që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.
Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe./Rel