Dënim me burg prej shtatë vjetësh shqiptoi Këshilli gjyqësor në kuadër të Gjykatës Themelore Penale – Shkup për ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, i akuzuar për pastrim parash dhe përfitimin e paligjshëm dhe fshehjen e pronës.
Kumbara i tij, Risto Novaçevski është i dënuar me dënim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh, biznesmenët Nenad Josifoviq me dënim me kusht prej dy vjetësh, Jordan (Orce) Kamçev është i dënuar me një vjet burgim, të cilët gjithashtu janë të akuzuar edhe për “pastrim parash”, ndërsa kushëriri i parë i Gruevskit dhe ish-drejtor i DSK-së, Sasho Mijallkov për “ndihmesë gjatë veprës penale pastrim të parave dhe përfitime të tjera nga vepra penale” mori burgim prej një viti e tre muaj, raporton Zhurnal.mk
Sipas aktakuzës, i akuzuari Nikolla Gruevski, në periudhë nga viti 2006 deri në vitin 2012, i ka përfituar 1,3 milionë euro, si pjesë e parave që janë dhënë si donacion për financimin e partisë dhe nuk i ka paraqitur si donacione të fituara. Në aktakuzën për Gruevskin thuhet se nga mesi i vitit 2012, ai mëson se persona fizikë të cilët janë shpërngulur nga shteti përmes ndërmjetësve shesin tokë prej rreth 11.000 metra katrorë në Vodno dhe kërkon nga Mijallkovi t’i ndihmojë ta blejë këtë tokë, mirëpo të fshihet burimi i parave.
Mijallkov, sipas aktakuzës, hyn në kontakt me të akuzuarin Nenad Josifoviq, i cili ka qenë pronar i një kompanie të regjistruar ofshor në Belize dhe është dakorduar kjo kompani të jetë themeluese e një kompanie vendore e cila do të përdoret që të blihet toka. Drejtues i kompanisë vendore bëhet Risto Novaçevski, kumbarë nga martesa e parë e Gruevskit.
Pasi është arritur pëlqim për çmimin shitblerës, sipas aktakuzës, më shumë herë në llogarinë devizore të kompanisë së Shkupit, përmes xhiro llogarisë së kompanisë nga Belizeja paratë lëshohen në qarkullim, ndërsa Novaçevski në cilësinë e drejtuesit të kompanisë me pronarët e tokës kanë nënshkruar marrëveshje për shitblerje për blerjen e një pylli me sipërfaqe prej 11.255 metra katrorë dhe për këtë paguan 1,2 milionë euro. Në vitin 2015 ndryshon PPU i Qytetit të Shkupit, këto parcela tjetërsohen në ndërtimore, ndërsa edhe pjesëmarrja e kompanisë nga Belizeja bartet në emër të Jordan Kamçevit dhe nënës së tij, Ratka Kamçeva, ndërsa parcelat ndahen në tri pjesë.
Përveç kësaj, Gruevski, sipas aktakuzës, si person zyrtar me qëllim që ta fshehë pronën të cilën e ka fituar derisa kryente funksion shtetëror, ndërsa që i tejkalon të ardhurat e tij të paraqitura në listën anketuese, ka dhënë të dhëna jo të plota për pronën e patundshme që e posedon, ndërsa në mënyrë fiktive është udhëhequr në emër të të akuzuarit Novaçevski. Kështu, ai në listën anketuese për gjendje pronësore nuk i ka paraqitur dy banesa në Shkup me sipërfaqe prej 38 dhe 57 metra katrorë, tokë ndërtimore në Qendër të Shkupit me sipërfaqe prej 2.729 metra katrorë dhe dy parcela ndërtimore në Krushevë.
Gjykimin për këtë lëndë e udhëhoqi gjykatësi, Ilija Tërpkov.