Një grup prej katër anëtarësh në Parlamentin e Mbretërisë së Holandës ka propozuar anulimin e përkohshëm të udhëtimit pa viza për shtetasit shqiptarë në zonën Shengen.
Më 11 prill, parlamenti holandez debatoi mbi këtë propozim, duke siguruar mbështetjen e shumicës. Tani Parlamenti do t’i kërkojë qeverisë së Holandës t’i propozojë Komisionit Europian të iniciojë procedurën e “frenimit emergjent”, i cili mundëson pezullimin e udhëtimit pa viza.
Propozimi u paraqit nga ana e Sekretares së Grupit të Kristian-Demokratëve Madeleine van Toorenburg, deputetit Jeroen van Ëijngaarden, deputetit tjetër socialist Jasper van Dijk si dhe Nico Drost nga Bashkimi Kristian. Ata argumentuan se kjo iniciativë është për të frenuar krimin e organizuar në vend.
”Dhoma, pas dëgjimit të diskutimit, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të konsiderueshme të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në Holandë dhe pasi këto organizata kriminale po abuzojnë me mundësinë e udhëtimit të lirë nëpër Europë pa viza duke zgjeruar kështu më tej rrjetin e tyre të kontrabandës; duke vënë në dukje se pezullimi i kërkesës për viza për Shqipërinë ishte subjekt i kushteve të ndryshme, duke përfshirë luftën kundër krimit ndërkufitar; i bën thirrje qeverisë të paraqesë një kërkesë në Komisionin Europian për të iniciuar procedurën e “ndalimit emergjent” për të pezulluar përkohësisht liberalizimin e vizave të Shqipërisë”, thuhet në shënimin e vendimit të Parlamentit.
Deputetët iniciues thanë se e bëjnë këtë kërkesë duke pasur parasysh ndryshimin e kushteve, pasi krimi shqiptar ka njohur rritje të jashtëzakonshme në shtetin holandez. Deputeti Van Toorenburg tha ndër të tjera se në Holandë ka 6 herë më shumë shqiptarë nga sa janë të regjistruar zyrtarisht.
Pezullimi i vizave në raste të emergjencës është një mekanizëm i pezullimit të vizave Shengen, në Rregulloren e BE-së 1289/2013. Pezullimi mund të bëhet me shumicën e thjeshtë të votave nga Komisioni Europian.
Në janar të vitit 2018, Franca kishte kërcënuar gjithashtu të rivendosë regjimin e vizave Shengen për shqiptarët, pasi vendi mori 7630 kërkesa për azil nga shqiptarët në vitin 2017.