“Protestat në vendin e tij, mbështetës që sulmojnë ushtarët e KFOR-it dhe një figurë e errët si kreu i inteligjencës: Pavarësisht gjithë kësaj, [presidenti serb Aleksandar] Vuçiç konsiderohet ende një partner i rëndësishëm negociues në Perëndim. [Presidenti rus] Vladimir Putin ka të ngjarë të jetë i kënaqur me këtë.”
Kështu shkruan në një artikull revista e njohur gjermane, Der Spiegel, për Serbinë e toleruar në mënyrë flagrante nga bashkësia ndërkombëtare.
Politika që po ndjek Beogradi ndaj zhvillimeve në rajon rrezikon rindezjen e Ballkanit, thuhet në artikullin e Der Spiegel.
Sipas revistës gjermane, veprimet e Beogradit dhe gjuha e përdorur nga Aleksandar Vuçiq mund t’i vënë flakën Ballkanit. Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës, blerja e armëve nga Kina dhe mungesa e kontrollit nga Rusia janë zhvillime që duhet të kishin shkaktuar një përgjigje të ndryshme nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Mediat gjermane theksojnë se është e pakuptueshme se si me gjithë këto probleme një pjesë e diplomacisë perëndimore e sheh Vuçiqin si faktor stabilizues.
Në artikull përmendet edhe kreu i Shërbimit Sekret Serb, Aleksandar Vulin, i cili njihet si një mbështetës i zjarrtë i Rusisë dhe që bën rregullisht thirrje nacionaliste kundër kombeve të tjera në rajon gjatë fushatave zgjedhore. Vulin flet për “botën serbe” ashtu siç flet Vladimir Putin për “botën ruse”.
Sipas mediave gjermane, shefi i Shërbimit Sekret shpeshherë thotë në publik atë që Aleksandar Vuçiq nuk mund ta thotë.
Në artikull, revista gjermane kritikon edhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Ky i fundit është përgjigjur në mënyrë të duhur gjatë një takimi ku Vuçiq ka thënë se populli serb në Kosovë i është nënshtruar “persekutimit më të tmerrshëm”.