Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.
Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.
Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se si kompromis kanë ofruar që partia e tij, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të pajtohen që të votohen në paketën kryeparlamentare dhe tri nënkryetarët.
“Ajo që kemi ofruar si kompromis është një dakordim politik, një konsensus politik që të tri partitë më të mëdha, që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Kuvend, të mblidhen, të dakordohen [të votohen] në paketë emri i kandidates për kryeparlamentare Albulena Haxhiu si dhe emrat e nënkryetarëve, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të kemi dakordim që t’i votojmë”, tha ai.
Murati hodhi poshtë akuzat e partive se LVV-ja po kërkon që Haxhiu “të votohet me zor”, duke shtuar se disa deputetë të partive, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë, kanë shprehur “dëshirë që të dalin nga kjo situatë”, por shtoi se partitë e tyre nuk kanë ndryshuar qëndrim, andaj ata nuk po mund të votojnë për Haxhiun.
LVV-ja, përsëriti ai, nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për votime të reja, nëse ky mbetet opsioni i vetëm për daljen nga situata e krijuar.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja ka “mentalitet të imponimit”, pasi që kjo parti ka të drejtë të propozojë kryeparlamentarin, por jo të imponojë se si votojnë të zgjedhurit e popullit.
Ai akuzoi LVV-në se “me qëllim po mban të bllokuar” procesin e krijimit të institucioneve të reja, teksa shtoi se kishte tri mesazhe për partinë fituese të zgjedhjeve.
“E para, demokracia funksionon me shumicë, e jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Dhe e treta, duhet ta kuptojnë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë LVV-ja këto tri çështje, aq më mirë për vendin”, tha Krasniqi.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se insistimi i LVV-së për të propozuar Haxhiun për postin e kryeparlamentares e ka shndërruar Kuvendin “në një cirk”.
“LDK është për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese që respekton Kushtetutën dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ne e njohim të drejtën e të parit për të propozuar, por kjo nuk do të thotë se ne e bartim votën te një subjekt duke votuar sipas kërkesave të tyre”, tha ajo, duke shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkaq, para nisjes së seancës, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se LVV-ja nuk do të marrë votën e partisë, nëse insiston në kandidimin e Haxhiut.
“Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duhet do të jemi në situatë të njëjtë”, tha ai për gazetarët para nisjes së seancës.
Në anën tjetër, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.
“Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, tha ai.
Nisma, sipas Limajt do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, “por jo me çdo kusht”.
“Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet”, tha ai para nisjes së seancës.
Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.
Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri./REL