Rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duket se vetëm ka nxitur pakënaqësi mes paleve.
Ndonëse me shumë pritshmëri, takimi i radhës Kurti-Vuçiç ndërmejtësuar nga Bashkimi Europian rezultoi pa sukses.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan të enjten rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, duke theksuar se pa normalizim nuk ka ardhmëri evropiane për të dyja vendet.
Zoti Borrell tha se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim të tij për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas zotit Borrell, kryeministri Kurti kërkon zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Fatkeqësisht pas një takimi të gjatë kryeministri Kurti nuk ishte i gatshëm të ecte përpara me fillimin e një procesi të besueshëm drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai këmbënguli në fakt në zyrtarizimin e njohjes “de facto” nga Serbia si hap i parë”, tha zoti Borrell, duke theksuar se presidenti Vuçiç e pranoi propozimin e tij.
Vuçiç: Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se zoti Kurti është duke iu shmangur detyrimeve siç është ai për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.
I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.
“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.
“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.
Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë “çon vetëm në probleme më të mëdha”, tha presidenti i Serbisë, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.
Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me kushtëzimin e vjetër për themelimin e Asociacionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqesh të para gjashtë muajsh i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.
Për një dokument të tillë Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.
“Unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të aneksit të Ohrit të 18 marsit… Pala tjetër, presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takim nuk ka pasur ndonjë rezultat. S’mundet të ketë kompromis meqenëse s’mundet me pas kompromis mes një propozimi me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që të shoh propozimin që ka dhënë Serbia, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dy faqesh në anglisht dhe serbisht që paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe më pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë. Mua mu desh t’iu them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, ku ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Qartë neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjes e mëhershme të dialogut në Bruksel që janë të obligueshme dhe valide. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, tha ai.
Kurti nënvizoi se për të ecur përpara duhet të tejkalohet kushtëzimi serb, pasi zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit i është vënë një pengesë e madhe.
“Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajcak e ka bërë në cenim të funksionit të tij si ndërmjetësues dhe lehtësues, por unë nuk mund të pranoj një gjë të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam…Nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë. Nuk mundet të quhet se kur të lexoni përmbajtën do të shihni se është kushtëzim…Sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes. I është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim e që është kushtëzimi i Serbisë. Unë këtë dokument nuk e kam pasur më herët nuk e kam ditur. Kam dëgjuar deklarata dhe kam besuar se janë qëndrime të njërës palë, mirëpo për mua kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të lehtësuesit evropian Lajçak. Për të ecur përpara duhet të tejkalohet kjo”, shtoi Kurti.
Udhëheqësit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel mes tensionesh të larta dhe thirrjeve të diplomatëve perëndimorë për shmangien e veprimeve që mund të nxisin një ripërtëritje të dhunës në rajon. Tensionet shpërthyen në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë. Protestuesit serbë u përleshën me forcat e sigurisë dhe 93 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja mbetën të plagosur
/Argumentum.al